Spiropali merr drejtimin e MEPJ: Çojmë përpara objektivin strategjik për Shqipërinë Europiane - Gazeta Express
string(92) "spiropali-merr-drejtimin-e-mepj-cojme-perpara-objektivin-strategjik-per-shqiperine-europiane"

Shqiperi

Gazeta Express

19/09/2025 17:50

Spiropali merr drejtimin e MEPJ: Çojmë përpara objektivin strategjik për Shqipërinë Europiane

Shqiperi

Gazeta Express

19/09/2025 17:50

 Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali mori sot detyrën nga paraardhësi i saj Igli Hasani, në një ceremoni të organizuar në ambientet e ministrisë.

Në fjalën e saj, Spiropali vlerësoi përvojën dhe ekspertizën e Igli Hasanit, i cili sipas saj, “do të jenë një vlerë e shtuar në Komisionin Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme”.

“E bindur që edhe me angazhimin e tij si Kryetar i Komisionit do të çojmë bashkërisht përpara, objektivin strategjik të shtetit shqiptar për Shqipërinë Europiane”, u shpreh Spiropali.

Nga ana e tij, Hasani shprehu besimin se “reformat dhe proceset që kemi nisur dhe çuar përpara me stafin e Ministrisë gjatë dy viteve të fundit do të vazhdojnë të jenë prioritet edhe nën drejtimin e ri”.

“Finalizimi i ligjit të ri për Shërbimin e Jashtëm, tashmë i përfunduar e që së shpejti do të paraqitet në Kuvend; konsolidimi i strukturës së re të Ministrisë; përmirësimi i vazhdueshëm i shërbimeve konsullore për qytetarët tanë jashtë vendit; zbatimi dhe forcimi i standardeve të emërimeve mbi bazën e meritës dhe profesionalizmit; rritja e përfaqësimit të grave në diplomaci; hapja dhe forcimi i përfaqësive të reja në vende strategjike; fuqizimi i pasaportës shqiptare; si edhe zbatimi i një qasjeje më të thjeshtuar dhe efektive në punën e MPJ-së”, nënvizoi Hasani, duke sjellë në vëmendje disa prej prioriteteve.

Hasani theksoi se po aq e rëndësishme është që udhëheqja e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian të vazhdojë me një bashkëpunim të ngushtë mes qeverisë dhe Kuvendit.

“Është bindja ime se rrugëtimi ynë drejt BE-së nuk është detyrë e një ministri, e një ekipi apo e një institucioni të vetëm – por një projekt kombëtar, i bazuar në transparencë, konsultim të gjerë dhe besueshmëri”, shtoi ai.

Hasani i uroi Spiropalit suksese në këtë përgjegjësi të rëndësishme. “Në rolin tim të ri si Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme dhe Integrimin Evropian në Kuvend, do të vijoj me të njëjtin përkushtim për ta mbështetur dhe çuar përpara objektivin strategjik për bashkimin sa më të shpejtë të Shqipërisë me familjen e saj të natyrshme Evropiane”, siguroi ai.