Ndërsa dhuna brutale ndaj tifozëve të Kombëtares së Serbisë në ndeshjen kundër Anglisë në stadiumin “Rajko Mitic” ndodhi para syve të 40 mijë të pranishmëve dhe në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv, autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë asnjë informacion zyrtar për ndonjë të ndaluar apo të arrestuar. Përkundrazi, reagimi i shpejtë i policisë vetëm pak ditë më pas në Suboticë, ku u ndaluan 24 persona pas një përleshjeje të tifozëve të Zvezdës dhe Partizanit, nxjerr në pah standardin e dyfishtë të shtetit në trajtimin e dhunës në sport. E kjo nuk është rastësi. Pasi ata që kryen aktet e dhunshme ditën e ndeshjes nuk janë njerëz të zakonshëm. Disa nga ata u identifikuan si pjesmarrës në sulmin terrorist në Banjskë.
Ekspertët dhe shoqëria civile paralajmërojnë se heshtja institucionale ndaj dhunës së ushtruar në stadiumin e Beogradit tregon për një mbrojtje të qartë politike ndaj autorëve të sulmeve. Disa nga personat që sulmuan tifozët në stadium – për shkak të brohoritjeve kundër presidentit Vuçiq dhe këngës “Kush nuk kërcen është tradhtar” – janë identifikuar në rrjete sociale dhe nga mediat si pjesë e të njëjtit grup që kishte marrë pjesë në sulmin e armatosur në Banjskë në shtator 2023.
Predrag Petroviq, drejtor i kërkimeve në Qendrën e Beogradit për Politikë të Sigurisë, thekson se këta individë janë të njohur për policinë dhe se mosveprimi ndaj tyre është një shkelje e rëndë e ligjit.
“Me sy të profesionistit të policisë, ky nuk është rast i vështirë për hetim. Por problemi është politik. Këta njerëz kanë mbështetje të fortë politike. Ata ishin në një mision politik për të ‘disiplinuar’ tifozët që protestonin kundër pushtetit. Prandaj askush nuk u arrestua – dhe nuk do të arrestohet për sa kohë vazhdon kjo qeveri,” tha Petroviq për N1.
Pamjet nga stadiumi tregojnë grupe burrash të veshur me të zeza që dhunuan pa dallim, madje edhe prindër me fëmijë, para syve të forcave të sigurisë që nuk ndërhynë në mënyrë efektive. Madje, në një moment, edhe njësitë e xhandarmërisë hynë në tribunë, jo për të ndaluar dhunuesit, por për të ndarë ata nga tifozët që po sulmoheshin.
Mbrojtja e autorëve të dhunës nga shteti serb shihet gjithnjë e më shumë si pjesë e një strategjie për të mbrojtur individë që kanë qenë pjesë e grupeve ekstremiste paramilitare, përfshirë edhe autorët e sulmit terrorist në Banjskë. Kujtojmë se disa nga dhunuesit e stadiumit janë identifikuar si të afërt me Milan Radoiçiqin – i kërkuar për organizimin e sulmit ndaj policisë kosovare ku mbeti i vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, kontrasti në trajtimin e rasteve të tjera tregon qartë kahjen politike të drejtësisë në Serbi. Katër qytetarë – përfshirë edhe fermerë që protestuan në mënyrë paqësore në Novi Sad – janë vendosur në arrest shtëpie për tre muaj, pas dyshimeve se kanë fyer ose shtyrë dy qytetarë gjatë protestës.