Messi e ka fituar “Topin e Artë” tetë herë gjatë një karriere të mrekullueshme – por ndonjëherë edhe më të mëdhenjtë duhet t’i binden rregullave.
Asnjë futbollist në histori nuk ka grumbulluar aq shumë çmime individuale sa Lionel Messi.
Kapiteni i Argjentinës ka edhe medaljen e Botërorit që e kishte dëshiruar aq shumë, krahas katër triumfeve në Champions League, dhe tetë “Topa të Artë” të pabesueshëm.
Së bashku me rivalin e tij të përjetshëm, Cristiano Ronaldon – fitues i pesëfishtë i çmimit – legjenda e Barcelonës pa dashje krijoi epokën e dominimit të “Topit të Artë”.
Në moshën 38-vjeçare dhe tashmë duke luajtur kryesisht larg syve të botës në Major League Soccer, “Topi i Artë” i tij i tetë ishte me shumë gjasë fundi i rrugëtimit të artë të Messit.
Por në natën kur iu dorëzua çmimi i fundit, Messi vendosi një gjest njerëzor mbi rregullat e rrepta të ceremonisë dhe theu protokollin për të përshëndetur një nga yjet e rinj të futbollit evropian.
Messi ishte lojtar i Inter Miami-t në vitin 2023 dhe një admirues i largët i Khvicha Kvaratskhelia-s, anësorit gjeorgjian që po shkëlqente me Napolin.
Edhe Kvaratskhelia ishte fans i Messit, por mbeti i habitur kur ky i fundit u ngrit nga vendi për ta përshëndetur gjatë ceremonisë në Théâtre du Châtelet në Paris.
“Ishim ulur në gala gjatë një pushimi të ceremonisë,” tregoi Kvaratskhelia për një gazetar më vonë.
“Ai ishte ulur në të djathtën time. Papritur Leo u ngrit dhe nuk kisha asnjë ide pse e bëri këtë apo ku po shkonte. Na kishin paralajmëruar të qëndronim ulur gjatë pushimeve. Por ai ecën drejt meje.
Nuk e dija çfarë po ndodhte dhe papritur, ai më zgjati dorën. U hutova aq shumë sa u ngrita menjëherë dhe ia shtrëngova dorën.
Pas kësaj, ai më bëri me dorë dhe u kthye në vendin e tij. Pas këtij gjesti fitoi respektin tim të madh. Që një lojtar si ai të ngrihej për të më përshëndetur… ishte e pabesueshme. Ai është një person i jashtëzakonshëm dhe e vlerësoj shumë.”
Në gjurmët e Messit
Kvaratskhelia fitoi Serie A me Napolin përpara se të transferohej te Paris Saint-Germain në janar 2025.
Messi fitoi dy tituj radhazi të Ligue 1 me PSG në vitet 2022 dhe 2023, por ishte skuadra e Luis Enrique-s ajo që u kompletua me shtimin e Kvaratskhelia-s dhe më në fund i dhuroi parisienëve triumfin e parë historik në Champions League. /GazetaExpress/