Kryetari aktual i Obiliqit dhe kandidati i LDK-së për një mandat të ri, Xhafer Gashi, ka falënderuar të rinjtë për mbështetjen dhe entuziazmin që po tregojnë gjatë fushatës, duke e quajtur rininë “forca dhe frymëzimi i së ardhmes së Obiliqit”.
“Faleminderit nga zemra rinisë sonë të mrekullueshme për energjinë, entuziazmin dhe besimin që po tregoni çdo ditë. Ju jeni forca dhe frymëzimi ynë, shpresa e një të ardhmeje më të mirë për Obiliqin. Së bashku, me vizion dhe vendosmëri, po ndërtojmë një të ardhme ku secili ka mundësi të zhvillohet, të shprehë talentin e tij dhe të kontribuojë në jetën e qytetit,” ka deklaruar Gashi.
Ai ka theksuar se investimet në kulturë, sport dhe aktivitete rinore kanë qenë dhe do të mbeten prioritet i punës së tij, duke paralajmëruar masa konkrete në mandatin e ardhshëm: mbështetje të vazhdueshme për rininë, subvencione për klubet sportive, hapësira të reja për aktivitete rinore, mbështetje për turne dhe gara, mbulimin e shpenzimeve mujore të trajnimeve për fëmijët 7–15 vjeç, si dhe nxitjen e talenteve përmes bursave e programeve të posaçme.
Në planin e tij për katër vitet e ardhshme përfshihen edhe organizimi i festivalit tradicional “Ditët e Diasporës” dhe krijimi i hapësirave kulturore e sportive në fshatra e lagje të qytetit.