Pas disa muajsh spekulimesh dhe debateve, Arbër Zeneli dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, kanë pasur një takim që duket se ka shuar tensionet mes tyre.
Zeneli, sulmuesi 30-vjeçar i Elfsborg, i cili ka grumbulluar 33 paraqitje dhe ka shënuar 9 gola me përfaqësuesen e Kosovës, ishte për një periudhë larg kombëtares për shkak të disa mosmarrëveshjeve që, sipas tij, datojnë rreth dy vite më parë.
Në një intervistë për mediumin suedez Aftonbladet, Zeneli kishte shprehur se gjithmonë ka pasur dëshirë të luajë për vendin e tij, por disa çështje mes tij dhe FFK-së nuk ishin zgjidhur ende.
“Synimi për të luajtur për Kosovën gjithmonë ekziston. Por mes meje dhe FFK-së ka disa çështje të pazgjidhura. Do të shohim si do të rrjedhin gjërat,” tha Zeneli, duke shtuar se mungesat e tij te Kombëtarja kanë ardhur “pak nga të dyja” – si vendim personal, ashtu edhe për shkak të mosftesave.
Takimi i fundit me kryetarin Agim Ademi duket të ketë dhënë rezultate pozitive. Ademi shkroi në rrjetet sociale:
“Sot pata kënaqësinë të takoj një futbollist të jashtëzakonshëm dhe një djalë fantastik, anëtarin e ekipit tonë kombëtar, Arbër Zenelin. Folëm për karrierën e tij, rikuperimin pas lëndimit, kthimin në nivelin elitar dhe evokuam kujtime nga paraqitjet e tij të paharrueshme me ekipin kombëtar. Shpresojmë që së shpejti të jetë sërish pjesë e Kombëtares sonë. Arbëri mbetet një aset i çmuar për Kosovën.”
Për Zenelin, rikthimi te Kosova është një çështje e rëndësishme personale.
“Absolutisht. Kosova është kombëtarja ime, ishte zgjedhja ime kur isha 20-21 vjeç, sepse ata kishin një vizion. Shpresoj që të qëndrojnë besnikë ndaj atij vizioni,” kishte thënë Zeneli.
Një tjetër element i veçantë që ka tërhequr vëmendjen është fakti se vëllai i Zenelit, Besfort Zeneli e kishte braktisur Kosovën dhe i ishte bashkuar Kombëtares së Suedisë. Ai ka bërë një paraqitje me këtë Kombëtare por nuk është ftuar më nga selektori i saj, kurse gjasat janë shumë të vogla që të këtë një përballje unike mes dy vëllezërve në nivele ndërkombëtare.
Babai i Arbër Zenelit në anën tjetër ishte ankuar në një intervistë në Klan Kosova se djalit të tij i është marrë fanella me numrin 10.
Ai kishte thënë për “Klan Kosova” se si i është marrë numri 10 djalit të tij, Arbërit, për ndeshjen ndaj Rumanisë, që u zhvillua para dy viteve në kuadër të kualifikimeve për “EURO 2024”.
Ndonëse Arbëri ishte i ftuar, numri i tij i ishte dhënë dikujt tjetër, dhe kjo si duket se e kishte zemëruar pak sulmuesin kosovar.
“E kam vërejtur që askush nuk e pranon fajin e vet aq lehtë, mjegulla është te ata nuk është te Arbëri dhe Besforti. Dobësitë që ka bërë Federata ndaj Arbërit, vjet kur kanë luajtur për kualifikime për Evropian, ndaj Rumanisë”, është shprehur Avni Zeneli.
“Qysh janë rregullat, qysh më kanë thënë përpara, kur e fton lojtarin ajo fanellë nuk i dërgohet asnjë lojtari, por atij lojtari që ekziston aty, këta e kanë bërë”, kishte thënë ai për “Klan Kosova”.
Avniu vazhdoi tutje, duke thënë se Arbëri s’është njoftuar fare për këtë veprim nga FFK-ja.
“Lojtari i ftuar me qenë aty, e me ia dërguar fanellën tjetër kujt, ky është nënçmim i tmerrshëm dhe plus e kanë ftuar. Djali është munduar me ju thanë ‘pse më keni ftuar nëse bëni kësi gjëra, fanellën jepja kujt dush. Unë nuk jam i ftuar dhe ishim mbetur paq’. E kanë ftuar për me ia bo poshtërsinë dhe ta diskriminojnë, ky është diskriminim total dhe s’ka ma keq e vështirë”.
“Atë numër ia kanë dhënë Zhegrovës, ne s’kemi asgjë me të, më pëlqen si lojtar, nuk i ka fajet ai, i ka fajet federata”, shtoi Avni Zeneli.
Babai i vëllezërve Zeneli kishte thënë se Arbëri ka kërkuar llogari nga drejtori i kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, i cili e ka drejtuar për te trajneri, që në atë kohë ishte Primozh Gliha.
“Kur ka shkuar Arbëri me fol me Bajramin ai ka thënë nuk jam përgjegjës, fol me trajnerin. (Primozhv Gliha) ai i ka thënë se nuk vendos unë, por vendos federata”, kishte thënë Avni Zeneli.
Kosova dhe Suedia do të ndeshen në tetor, në kuadër të grupit për kualifikimet e Kupës së Botës 2026, në “Ullevi” të Goteborgut.
Ky takim dhe sqarimet e fundit duket se kanë qetësuar situatën dhe kanë hapur rrugën për një rikthim të mundshëm të Zenelit te Kombëtarja, duke rikthyer optimizmin tek tifozët për sulmin e Kosovës në ndeshjet e ardhshme. /GazetaExpress/