Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, gjatë ditës së sotme është takuar me gjyqtarin Zenel Leku, i cili është Kryetar i Panelit për Ankesa dhe Parashtresa të Zgjedhjeve (PZAP).
Kështu është njoftuar përmes një postimi në Facebook, ku është shtuar se Orav ka ritheksuar mbështetjen e BE-së për punën e vazhdueshme dhe transparente të Panelit në ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve, pavarësisht presioneve politike, shkruan Gazeta Express.
Po ashtu, në postim theksohet se Orav ka deklaruar se kjo është jetike për demokracinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj evropiane.
‘‘Sot, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, u takua me gjyqtarin Zenel Leku, Kryetar i Panelit për Ankesa dhe Parashtresa të Zgjedhjeve (PZAP).
Ai ritheksoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për punën e vazhdueshme dhe transparente të Panelit në ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve, pavarësisht presioneve politike.
Ambasadori theksoi se kjo është jetike për demokracinë e Kosovës dhe të ardhmen e saj evropiane’’, thuhet në postim.
Ndryshe, gjyqtari Zenel Leku ditë më parë ka qenë cak i sulmeve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ka qenë anëtari i LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, ai i cili në një mbledhjen e KQZ-së, duke folur lidhur me çështjen e certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale, ka sulmuar Lekun.
Krasniqi gjatë mbledhjes kishte deklaruar se gjyqtari Leku e ka emrin pothuajse si të kryetarit të Listës Serbe, Zlatan Elek.
“Unë kam dërguar e-mail zyrtar te ai personi që e ka emrin gati si Zlatan Eleku, qashtu dul edhe me mënyrën se si ka dirigju me këtë proces. Zenel Leku, a kush është ky kryesuesi”, tha ai.
Ndaj kësaj gjuhe të Krasniqit kishte reaguar edhe Gjykata Supreme. Kjo gjykatë e kishte dënuar gjuhën e anëtarit të VV-së dhe se kishte konsideruar se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari.
“Lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi. Shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në një institucion si KQZ, ku pritet maturi, qartësi dhe respekt, tregon mungesë të kulturës politike. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, jo të tillë që përpiqen t’i delegjitimojnë ato, me akuza pa fakte”, thuhet mes tjerash në reagim. /GazetaExpress