Napoli vendos një rregull të ashpër për blerjet e reja para përplasjes në Champions League.
Kevin de Bruyne dhe Scott McTominay janë detyruar të ndjekin një rregull strikt te Napoli pas largimit nga Premier League.
Mesfushori belg dhe ai skocez do të kthehen në Manchester të enjten mbrëma, kur do të përballen me Manchester City në Champions League.
Për De Bruyne, kjo është një rikthim në Etihad Stadium, aty ku kaloi 10 vite, duke fituar gjashtë tituj kampionë dhe një trofe të Champions League. Ish-yjet e Manchester United, McTominay dhe Rasmus Højlund, gjithashtu do të shpresojnë të marrin një fitore kundër rivalëve të vjetër.
Por të gjithë janë mbajtur nën vëzhgim të rreptë, teksa Napoli synon të mbrojë titullin e Serie A.
Sipas Calcionapoli24, dieta e McTominay u monitorua nga afër për shkak të “joshjeve” të ushqimit italian kur iu bashkua klubit verën e kaluar. Meqë si De Bruyne, ashtu edhe Højlund erdhën nga Anglia këtë verë, supozohet se edhe ata i janë nënshtruar të njëjtës kujdesje.
Raporti thekson: “Ushqyerja për lojtarët e Napolit është fundamentale dhe Antonio Conte e di shumë mirë këtë. Ai do që të gjithë të jenë në formën më të mirë dhe për këtë arsye i beson Tiberio Ancora-s dhe stafit të tij. Tundimi i kuzhinës napolitane mund të jetë i fortë, ndaj vjen paralajmërimi për një sërë ushqimesh që duhen shmangur, si për shembull produktet e bulmetit.”
Si do të paraqitet Kevin de Bruyne kundër Manchester City?
Për De Bruyne, udhëtimi i së enjtes në Manchester do të jetë i mbushur me emocione, pasi kthehet vetëm disa muaj pas largimit nga skuadra e Pep Guardiolës.
Por fokusi i tij do të jetë tek përpjekja për të siguruar që Napoli të marrë tre pikët në javën hapëse të fazës së grupeve.
Ai është përshtatur shpejt me jetën në Itali, duke shënuar dy gola në tre ndeshje, përfshirë një goditje dënimi spektakolare në fitoren hapëse të sezonit kundër Sassuolos.
34-vjeçari ishte gjithashtu në formë të shkëlqyer me Belgjikën në kualifikueset e fundit për Kupën e Botës, duke shënuar dy gola kundër Kazakistanit.
Para se të transferohej në Napoli, De Bruyne u përshëndet me Manchester City përmes një mesazhi emocional drejtuar tifozëve.
Ai tha: “Shkrimi i kësaj nuk është aspak i lehtë, por si futbollistë, të gjithë e dimë se ky moment një ditë do të vijë. Ai moment erdhi – dhe ju e meritoni ta dëgjoni nga unë i pari. Futbolli më solli tek ju – dhe tek ky qytet. Duke ndjekur ëndrrën time, pa e ditur që kjo periudhë do të më ndryshonte jetën. Ky qytet. Ky klub. Këta njerëz… më dhanë GJITHÇKA. Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse t’ua ktheja GJITHÇKA! Dhe ja çfarë ndodhi: i fituam TË GJITHA. Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, ka ardhur koha për të thënë lamtumirë.” /GazetaExpress/