“Liri a vdekje”, një film i kthyer në thirrje për atdhedashuri, sakrificë dhe qëndresë, do të shfaqet i restauruar për publikun në natën e fundit të Tirana International Film Festival.
Filmi mbart një emocion të veçantë, sepse ngjizet nga një bashkëpunim unik i dy regjisorëve të cilët krijuan gjithmonë në harmoni të plotë: Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. Regjisorët sollën përmes këtij filmi jo vetëm betejën kundër pushtimit, por edhe forcën shpirtërore të një populli që refuzoi të përkulej.
Filmi është prodhim i vitit 1979, me skenar të të madhit Vath Koreshi dhe muzikë të kompozitorit të shquar Kujtim Laro.
Arviki Qendror Shtetëror i Filmit bëri me dije se premiera e filmit të restauruar do të jetë mbrëmjen e 27 shtatorit, në kinema “Millennium”.
Roli i Çerçiz Topullit, i interpretuar në këtë vepër madhore, prej aktorit Timo Flloko, është ndër interpretimet më të spikatura të kinemasë shqiptare kur bëhet fjalë për figurat historike të Rilindjes dhe të Luftës për Pavarësi.
Një nga veçantitë e interpretimit është se Timo Flloko arrin të përçojë jo vetëm idealin e lirisë, por edhe dramën e sakrificës. Kjo e bën figurën e Çerçizit jo të ftohtë, por prekëse. Dhe për këtë arsye, interpretimi i Timo Fllokos si Çerçiz Topulli mbetet një nga momentet kulmore të kinematografisë shqiptare, ku aktori dhe heroi u bënë njësh./ora/