Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Kuvend programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Programi është i ndarë në tri shtylla kryesore, nga Shqipëria europiane, tek rritja ekonomike e qëndrueshme dhe duke vijuar me mirëqenien sociale.
Në këtë program shtylla e parë i kushtohet Shqipërisë Europiane, e cila cilësohet si shtylla e parë dhe busulla që i jep drejtim çdo reforme.
Në program thuhet se, “anëtarësimi nuk është vetëm objektiv diplomatik, por proces transformues që forcon shtetin e së drejtës, modernizon shtetin digjital, rrit integritetin e administratës, garanton sigurinë publike dhe kombëtare, dhe e vendos Shqipërinë në zemër të vendimmarrjes europiane. Europa mbi të gjitha është përfitimi i drejtpërdrejtë për qytetarët, në jetën e tyre të përditshme – në punën që bëjnë, në shërbimet që marrin, në të drejtat që gëzojnë dhe në sigurinë që ndiejnë, si pjesë e një familjeje me 450 milionë anëtarë”.
“Shqipëria Europiane është misioni ynë kombëtar, ëndrra e brezave dhe detyra e gjeneratës sonë. Është busulla që i jep drejtim çdo vendimi dhe ritëm çdo reforme. Synimi është i qartë dhe i afërt: anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030. Ky nuk është thjesht një akt diplomatik, por një proces transformues që e bën shtetin shqiptar më të drejtë, ekonominë më konkurruese dhe shërbimet publike më afër qytetarit”, theksohet në program.
Shteti i së drejtës, cilësohet si themeli i Shqipërisë europiane.
Në program thuhet se, “teksa konsolidojmë pavarësinë e gjyqësorit, orientohemi, përmes aleancës me teknologjinë, të kthejmë përfundimisht faqen e drejësisë shqiptare drejt një sistemi efiçent, pa tejzgjatje dhe me standardet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve”.
“Kodi i ri Penal dhe Kodi Civil do të jenë shtyllat e një legjislacioni modern të orientuar fuqimisht nga standardet europiane”, vijon programi.
Shteti digjital vlerësohet si fytyra moderne e qeverisjes.
Në program theksohet se, “shërbimet publike bëhen të thjeshta, të sigurta e të aksesueshme përmes e-Albania dhe asistentëve inteligjentë, të mbrojtura nga standard të sigurisë kibernetike që respekton standardet më të larta të BE-së. Çdo qytetar, në marrëdhënien e tij të përditshme me shtetin, duhet ta ndjejë Europën në xhepin e tij dhe në telefonin e tij”.
“Administrata publike ngrihet mbi integritet, transparencë, e redukim të burokracive përmes injektimit të digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale në të gjitha proceset e punës. Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm betejë morale, por kusht i panegociueshëm i integrimit. Prokurimet modernizohen, rritet llogaridhënia dhe shteti bëhet gjithnjë e më shumë partner më i besueshëm i qytetarit dhe biznesit”, thuhet në programin qeverisës.
Gjithashtu, siguria publike dhe rendi konsiderohen si themeli mbi të cilin ndërtohet mirëqenia e qytetarëve dhe besimi tek konsolidimi i imazhit të Shqipërisë si një vend i sigurt me qytete, fshtara dhe kufij të sigurt.
“Policimi modern, pajisur me teknologji, udhëhequr nga profesionalizmi dhe në bashkëpunim gjithnjë e më intensiv me partnerët evropianë e ndërkombëtarë, garanton rendin, parandalon krimin dhe vihet çdo ditë e më shumë në mbrojtje të të drejtave të çdo qytetari”, thuhet në program.
Po, ashtu, siguria kombëtare dhe mbrojtja janë garancia e stabilitetit.
“Kapacitetet e emergjencave fuqizohen, forcat tona të armatosura modernizohen dhe ecin krah për krah me standardet e NATO-s. Një Shqipëri e fortë e bën më të fortë rajonin dhe e bën më të sigurt Europën”, thuhet në program.
Ndërsa, politika e jashtme dhe diaspora konsiderohen si ura jonë me botën.
“Diplomacia aktive e vendos Shqipërinë në qendër të dialogut dhe vendimmarrjes europiane, ndërsa diaspora jonë e 4 fuqizuar bëhet ambasadorja më e besueshme e vendit tonë, duke hapur dyer për investime, tregje dhe talente”, theksohet në programin qeverisës.
“Rezultatet janë të matshme dhe të prekshme: deri në vitin 2027 përmbyllim negociatat, në vitin 2028 nënshkruajmë Traktatin e Anëtarësimit dhe në vitin 2030 Shqipëria hyn me dinjitet në familjen europiane. Atë ditë, flamuri kuqezi do të valëvitet krenar mes flamujve të BE-së, jo si një vizitor i përkohshëm, por si pjesë e pandashme e saj. Ky është realiteti që ne do të ndërtojmë. Ëndrra e brezave nuk do të mbetet më vetëm ëndërr, por do të bëhet e ardhmja e fëmijëve tanë. Shqipëria Europiane nuk është një horizont i largët – është stacioni ynë i afërt, është rruga jonë e përbashkët, është fitorja e gjeneratës sonë”, thuhet në programin qeverisës.
Rritja Ekonomike e Qëndrueshme është shtylla e dytë.
“Shqipëria e re ndërtohet mbi fnanca të shëndosha dhe tatime të ndershme, mbi një klimë të parashikueshme për biznesin dhe mbi një treg pune që hap dyer për të rinjtë. Ajo ngrihet mbi turizmin që nuk njeh më sezone, mbi bujqësinë dhe fshatin që modernizohen me teknologji, mbi energjinë e pastër që na kthen në eksportues të së ardhmes së gjelbër dhe mbi inovacionin që u jep hapësirë brezave të rinj për të krijuar e për të konkurruar. Dhe mbi të gjitha, ajo shtyhet përpara nga një infrastrukturë moderne – porte, aeroporte, hekurudha dhe korridore rrugore – që lidh Shqipërinë me rajonin, Europën dhe botën, duke e bërë vendin tonë një nyje të re zhvillimi”, lexohet në program.
Mirëqenia për të Gjithë është shtylla e tretë.
“Ajo është kujdesi për fëmijët e vegjël që rriten në çerdhe e kopshte më të mira, është arsimi që lidhet me jetën reale dhe me Europën, është shëndetësia falas e modernizuar, janë pensionet dinjitoze dhe shërbimet sociale që mbështesin ata që kanë nevojë. Është rinia që gjen punë dhe hapësira të reja, është sporti dhe kultura që gjallërojnë përditshmërinë, është mjedisi i mbrojtur dhe ekonomia e gjelbër që bëhen pjesë e zakoneve tona të përditshme”, theksohet më tej, ndërsa parashtrohet programi i detajuar.