Policia e Kosovës ka njoftuar për një aksion të fundit në veri të vendit, ku janë sekuestruar pajisje ushtarake, përfshirë uniforma kamuflazhi, antiplumbë, helmetë dhe karikatorë të mbushur me fishekë, që dyshohet se lidhen me rastin e sulmit të armatosur në Banjskë.
Zëvendëskomandanti i Policisë Rajonale në Veri, Veton Elshani, deklaroi para mediave se gjatë kontrollit në një zonë të dyshuar është gjetur edhe një radiolidhje, për të cilën dyshohet se i ka përkitur Policisë dhe ka qenë më herët në përdorim.
“Kemi hasë në një radiolidhje që besojmë është e Policisë më herët, që ka qenë funksionale. Ne konsiderojmë që këto janë mbetje të rastit të Banjskës apo të të dyshimtëve të përfshirë në atë rast. Kjo mbetet për t’u hetuar më tej nga autoritetet përkatëse,” u shpreh Elshani.
Ai konfirmoi gjithashtu se pajisjet e sekuestruara janë gjetur brenda një rimorkioje, për të cilën Policia dyshon se është në pronësi të një personi që është në kërkim për rastin e Banjskës. “Aty nuk ka banues, mirëpo konsiderojmë që e dijmë të dyshimtin dhe tash vazhdojmë me procedurat tjera,” shtoi Elshani.
E sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante, ndërsa Prokuroria e Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
“Hetimet janë në zhvillim, ndërsa nuk ka persona të arrestuar deri më tani. Dyshohet se armët dhe pajisjet i përkasin një të dyshuari që ndodhet ende në kërkim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për lidhje me rastin e sulmit të armatosur në Banjskë në vitin 2023”