Mbreti Charles shtron banketin shtetëror në nder të presidentit amerikan Donald Trump në Kalanë e Windsor-it, duke theksuar angazhimin e përbashkët për miqësinë dhe bashkëpunimin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve.
Siç raporton BBC, në fjalën e tij, mbreti Charles vlerësoi punën e Trump-it, për zgjidhjen e konflikteve globale.
Pa përmendur konflikte specifike si Ukraina apo Lindja e Mesme, ai përgëzoi presidentin amerikan për “angazhimin e tij personal për të gjetur zgjidhje ndaj disa prej konflikteve më të vështira të botës.”
Mesazhi kryesor i fjalës së Mbretit Charles ishte lidhja e fortë mes dy vendeve. “Popujt tanë kanë luftuar dhe vdekur së bashku për vlerat që ne çmojmë,” tha ai.
Ndërsa presidenti amerikan falënderoi për mikpritjen dhe e cilësoi vizitën e tij të dytë shtetërore si një nga “nderet më të mëdha” të jetës së tij.
Ai e nisi fjalimin duke thënë se ai dhe Melania janë thellësisht mirënjohës ndaj Mbretit dhe Mbretëreshës për mikpritjen në Kalanë e Windsor-it.
“Ka qenë një privilegj i veçantë”, tha ai, “të jem presidenti i parë amerikan që pritet këtu për dy vizita shtetërore… Respekt i madh për ju dhe për vendin tuaj.”
Në një referencë të papritur ndaj një ngjarjeje të së kaluarës, Mbreti Charles përmendi një histori të vjetër nga vitet ’70, kur si princ beqar kishte vizituar Shtëpinë e Bardhë gjatë presidencës së Richard Nixon.
Shtypi spekulonte në atë kohë për një lidhje romantike të mundshme mes tij dhe vajzës së presidentit Nixon.
“Sikur të kishte pasur sukses shtypi në vitet 1970 në përpjekjen e tyre për të thelluar marrëdhënien speciale, unë vetë mund të isha martuar në familjen Nixon!”, tha me humor në përfundim të fjalës së tij në darkën shtetërore.
Ngjarja u ndoq edhe nga figura të rëndësishme britanike dhe amerikane, ndërsa menuja e përzgjedhur e banketit reflektonte lidhjet kulturore mes dy vendeve.