A po mbaron epoka e syzeve të leximit? Studimi tregon rezultate premtuese me pika për sy - Gazeta Express
string(87) "a-po-mbaron-epoka-e-syzeve-te-leximit-studimi-tregon-rezultate-premtuese-me-pika-per-sy"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

17/09/2025 20:45

A po mbaron epoka e syzeve të leximit? Studimi tregon rezultate premtuese me pika për sy

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

17/09/2025 20:45

Për miliona të rritur, syzet e leximit janë pjesë e përditshmërisë – qoftë për të ndjekur një recetë, për të shkruar një letër, apo për t’u zhytur në një roman tërheqës. Por një studim i ri sugjeron se këto syze mund të bëhen opsionale në të ardhmen e afërt.

Hulumtimi ka zbuluar se pikat për sy, të aplikuara disa herë në ditë, mund të përmirësojnë ndjeshëm shikimin afër, me rezultate që mbahen për vite. Trajtimi mund të ulë në mënyrë të konsiderueshme varësinë nga syzet e leximit, thonë shkencëtarët.

Si funksionon trajtimi

Studimi u fokusua tek presbiopia, një gjendje e zakonshme e lidhur me moshën që e bën më të vështirë fokusimin tek objektet dhe tekstet e afërta. Tradicionalisht, kjo gjendje menaxhohet me syze leximi ose ndërhyrje kirurgjikale.

Hulumtuesit kryen një studim retrospektiv me 766 pacientë dhe zbuluan se shumica e tyre mund të lexonin dy, tre ose më shumë rreshta shtesë në një tabelë shikimi Jaeger pas përdorimit të pikave speciale për sy.

Pikat përmbajnë dy përbërës kryesorë:

Pilokarpinë: ngushton pupilat dhe kontrakton muskujt ciliarë, të cilët ndihmojnë syrit të fokusojë në distanca të ndryshme.

Diklofenak: zvogëlon inflamacionin dhe parehatinë që mund të shkaktojë pilokarpina.

Pacientët aplikuan pikat dy herë në ditë, zakonisht në mëngjes dhe përsëri pas rreth gjashtë orësh. Një dozë e tretë mund të përdorej nëse ishte e nevojshme për komoditet shtesë të shikimit.

Rezultate të shpejta dhe të qëndrueshme

Përmirësimet u matën një orë pas aplikimit të parë, me një mesatare prej 3.45 rreshtash më shumë në tabelën Jaeger, dhe shikimi i përmirësuar afër u mbajt për deri në dy vjet, gjatë gjithë kohëzgjatjes së studimit.

Dr. Giovanna Benozza, drejtuese e Qendrës për Hulumtime të Avancuara mbi Presbiopinë në Argjentinë, tha:

“Kemi kryer këtë hulumtim për shkak të nevojës të konsiderueshme mjekësore që nuk plotësohet për menaxhimin e presbiopisë. Zgjidhjet aktuale si syzet ose ndërhyrjet kirurgjikale kanë kufizime, duke përfshirë sikletin, shqetësimet sociale dhe rreziqet ose komplikimet e mundshme. Rezultatet tona treguan përmirësime të shpejta dhe të qëndrueshme në shikimin afër, me fokus të përmirësuar në të gjitha distancat.”

Një opsion i ri për pacientët

Pikat nuk synojnë të zëvendësojnë ndërhyrjet kirurgjikale, por ofrojnë një alternativë të sigurt, efektive dhe të personalizuar për ata që kërkojnë të lirohen nga sikleti i përditshëm i përdorimit të syzeve të leximit.

“Profesionalët e kujdesit të syve tani kanë një opsion të bazuar në prova shkencore që zgjerojnë spektrin e trajtimit të presbiopisë përtej syzeve dhe kirurgjisë,” shtoi Dr. Benozza.

Rezultatet u prezantuan në Kongresin e 43-të të Shoqatës Evropiane të Kataraktës dhe Kirurgjisë Refraktive, duke ofruar shpresë për miliona njerëz që kërkojnë një zgjidhje jo-invazive për presbiopinë. /GazetaExpress/