Mërgimtarja nga Austria me projektin e saj po pavarëson financiarisht gratë në Kosovë - Gazeta Express
string(85) "mergimtarja-nga-austria-me-projektin-e-saj-po-pavareson-financiarisht-grate-ne-kosove"

Lajme

Merita Miftari

17/09/2025 19:19

Mërgimtarja nga Austria me projektin e saj po pavarëson financiarisht gratë në Kosovë

Lajme

Merita Miftari

17/09/2025 19:19

Antigona Shala nga fshati Cermjan i Gjakovës, sot punon si rrobaqepëse profesioniste, duke jetuar ëndrrën e saj që dikur i dukej e largët. Rrugëtimin e nisi në vitin 2018 kur u regjistrua në një kurs rrobaqepësie pa pagesë, projekt që e solli nga Austria në Kosovë mërgimtarja Ganimet Bajraktari, e njohur si Ganja. Projekti synon aftësimin profesional dhe punësimin e grave, kryesisht nga zonat rurale.

Në mesin e shume grave që dolën të suksesshme nga ky kurs, është Antigona, 45-vjeçare, e cila sot ka arritur një numër të konsiderueshëm të klienteve, duke siguruar jetesë të mirë nga të ardhurat që fiton nga kjo punë. Përmes këtij profesioni, po arrinë gjithashtu t’i shkollojë edhe fëmijët e saj.

“Këtë profesion e kam dashtë qysh e vogël, e kam pas ëndërr me qenë rrobaqepëse. Në moshën 12 vjeçare kam kry kurs (për rrobaqepësi), po s’jam aftësu qysh duhet. Ne qysh jemi në fshat dhe s’kemi mbështetje nga shteti e as nga shoqatat, Ganimet Bajraktari na ofroi këtë mundësi. E kam pas mbështetjen edhe nga bashkëshorti”, tha Shala teksa rrëfeu rrugëtimin e saj në rrobaqepësi.

Nëna e katër fëmijëve, tregon se kursin e filloi në fshatin Drenovc të komunës së Rahovecit, por për shkak të kërkesës së madhe nga gratë që të bëhen pjesë e tij, mësimet i vijuan në fshatin Denjë, në një hapësirë më të madhe.

“Kursi ka zgjatë 12 muaj, ka qenë tejet profesional, mësuesja na ka ushtru në detaje, çdo gjë ka qenë perfekte. E kam marrë zanatin e rrobaqepësisë 100% dhe kam marrë njohuri shumë”, tha 45-vjeçarja gjatë bisedës për Gazetën Express.

Antigona, falë përkushtimit të saj arriti të aftësohet për t’i mësuar edhe gratë e tjera për rrobaqepësi.

“Mësuesja, një vit më ka zgjedhë si asistente të saj. Në Krushë të Madhe ju kam mbajtë mësim nxënëseve, (ka qenë viti 2024)”.

Antigona, e cila punon edhe veshje të rënda nusërie është shumë e kënaqur me punën që bën.

“Unë vazhdoj punoj në shtëpi, e kam rrethin tim në fshat që e besojnë punën time dhe më njohin qysh qepi e qysh punoj, jam duke jetuar prej këtij profesionit fort mirë”, tha rrobaqepësja.

Ajo shton se ka kërkesa të shumta nga klientet e saj saqë nganjëherë nuk arrinë t’i realizojë të gjitha.

“Punoj në shtëpi, i shkolloj fëmijët me këtë zanat, e ndihmoj burrin (financiarisht). I shkolloj fëmijët krejt me këtë profesion”, përfundoi 45-vjeçarja.

Gratë e mërgatës, jo veç remitenca, por Kosovës i sjellin edhe zhvillim e punësim

Fizikisht në mërgim e shpirtërisht në Kosovë, Ganimet Bajraktari, punoi fort për të ndihmuar gratë e zonave rurale që nga viti 2014 që të aftësohen në profesionin e rrobaqepësisë, që sot numëron qindra gra të certifikuara e të pavarura financiarisht.

Nëpërmjet donacioneve që fitoi në Austri, Bajraktari ndjehet e lumtur kur sheh që nga kurset që ofroi për gratë ato sot punojnë e kanë hapur edhe bizneset e tyre.

“Në Austri jam lidhë me një shoqatë të grave, kam arritë të marrë donacione nga gratë e Kishës Katolike, të bëjë projekte për gratë në Kosovë. Deri tani përafërsisht 300 gra në Kosovë janë me kurse të rrobaqepësisë. Ato disa punojnë, qepin privat, kanë hapur biznese, janë çertifiku etj”, tha Bajraktari për Gazetën Express.

Këto gra, janë kryesisht nga rajoni i Rahovecit, Prizrenit e Gjakovës.

“Disa kanë dalë jashtë dhe me këtë certifikatë janë punësu jashtë”, u shpreh ajo, duke theksuar që certifikata u vlenë edhe jashtë Kosovës.

Bajraktari: Gratë kontribuojnë barabartë me burrat, e janë disa që kontribuojnë edhe më shumë

Gruaja e cila jeton që 29 vite në mërgim, fillimisht në Gjermani e pastaj në Austri, thotë se nga Kosova u largua për shkak të përndjekjes politike. Megjithatë, edhe nga larg, gjatë kohës së luftës kontribuoi me ndihma materiale për vendin tonë.

“….Edhe gjatë shtatzënisë jam marrë me shumë aktivitete në Austri për ndihma që janë mbledhë për Kosovën, veshmbathje të ndryshme”, u shpreh Bajraktari kur u pyet se kur e ka nisur aktivitetin e saj për të ndihmuar ekonominë e vendit tonë.

Ganimet Bajraktari me origjinë nga Rahoveci, e martuar në Prizren, deklaron se në Kosovë është prezente 10 deri 15 herë në vit.

“Unë pushim nuk bëj në Kosovë kurrë, pushimi jem është me u marrë me aktivitete në Kosovë. Çdo muaj jam në Kosovë”, tha ajo për Gazetën Express.

Përveç projekteve për gratë, mërgimtarja kishte realizuar projekte edhe për personat me aftësi të kufizuara duke sjellë donacione të ndryshme që ua lehtësojnë jetën atyre.

Ganimet Bajraktari, pas një analize që kishte bërë në Kosovë, pohon se identifikoi rreth 24 mijë familje me persona me aftësi të kufizuara. Përmes shoqatës së saj “Jeta Buron”, të themeluar në vitin 2012, ajo thotë se ka sjellë shumë donacione, si proteza, këpucë ortopedike, karroca, lodra për fëmijë, krevate për persona të palëvizshëm dhe ndihma të tjera për fëmijët.

Gjithsesi, sikurse pothuajse të gjithë mërgimtarët edhe ajo në vazhdimësi ndihmoi financiarisht edhe familjen e saj në Kosovë, konkretisht prindërit e saj.

Planet për investime në Kosovë

Ajo tash e sa vite e ka ëndërr hapjen e ndonjë biznesi në Kosovë përmes së cilit synon punësimin e grave.

“Dua të kem prodhim – frimë, ku punësohen gratë, prodhohet diçka dhe del jashtë Kosovës, eksportohet”, përfundoi ajo.

Diaspora ka rol të madh në zhvillimin ekonomik të Kosovës

Diaspora e Kosovës përmes dërgesave financiare të rregullta, ka bërë që remitencat të rriten ndër vite.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka konfirmuar për Gazetën Express se gjatë vitit 2025 është shënuar një rritje e remitencave prej 3.91%, krahasuar me periudhën e njëjtë, janar-qershor, të vitit 2024.

Ndërsa,vlera e remitencave për periudhën janar–qershor 2025 ka arritur në 654.70 milionë euro, konfirmon BQK.

Padyshim që gratë e diasporës janë kontribuuese të mëdha në remitenca, por BQK nuk ka të dhëna të ndara sipas gjinisë së dërguesve.

“Të dhëna për remitencat nuk përpilohen sipas gjinisë së dërguesit apo pranuesit meqë ky informacion nuk kërkohet në përputhje me manualet statistikore ndërkombëtare si dhe është e vështirë të zbatohet në praktikë”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Edhe profesori i Ekonomisë, Shkumbin Misini, pohon se roli i grave si dërguese të remitencave në Kosovë është “një aspekt relativisht pak i analizuar dhe i vështirë për të analizuar në diskursin ekonomik”. Megjithatë thekson se “gratë përbëjnë një pjesë të rëndësishme të dërguesve të remitencave duke mbështetë familjet e tyre në vendet e origjinës”.

Profesori i Ekonomisë, Shkumbin Misini, deklaron se remitencat luajnë një rol kyç në ekonominë e Kosovës.

“Kontributi i tyre është në të ardhurat e familjeve që ndikon drejpërdrejtë në mirëqenien socio-ekonomike të Kosovës. Po ashtu, remitancat ndikojnë edhe në standardin e jetesës për kosovarët përmes rritjes së konsumit dhe kujdesit shëndetësor, si dhe janë kontribues shumë të mëdhenjë në investimeet në paluajtshmëri që ndikon drejpërdrejt tek qarkullimi i bizneseve kosovare”, thotë Misini për Gazetën Express.

Ai pohon se “Remitencat sigurojnë një burim të rëndësishëm të të ardhurave për kosovarët që ndihmojn familjet dhe kontribuon në rritjen ekonomike të Kosovës, kjo mbështetje financiare shpesh përdoret kryesisht për shpenzime ditore në konsum, jo për investime afatgjata apo  zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës”.

Megjithatë, profesori vlerëson se “varësia e madhe nga remitencat mund të dekurajojë pjesëmarrjen aktive  të kërkesës për punë, duke zvogëluar motivimin për punësimin formal dhe duke krijuar një efekt negativ në dinamikën ekonomike të vendit”.

Profesori thekson se “varësi e remitancave ndikon në rritjen e  pjesemarrjes passive dhe zvoglon pjesëmarrjen active të kërkessës për punë.  Kosova sipas raportit të fundit të ASK-së ka një numër të madh të qytetarëve të cilët janë pasiv në tregun e punës”.

Ndër vite, Kosova ka pranuar miliarda euro remitenca, ku më së shumti vijnë nga Gjermania, Zvicra e SHBA-ja./Gazeta Express