Problemet e Crystal Palace me institucionet e futbollit europian nuk kanë të ndalur.
Pas vendimit të bujshëm për t’i hequr klubit londinez të drejtën e pjesëmarrjes në Europa League dhe për ta zbritur në Conference League, UEFA ka vendosur një tjetër sanksion për “Shqiponjat”.
Zbritja nga Europa League
Crystal Palace siguroi pjesëmarrjen në Europa League duke fituar FA Cup sezonin e kaluar. Megjithatë, UEFA konstatoi shkelje të rregullave të pronësisë së shumëfishtë të klubeve dhe vendosi t’i përjashtojë nga kompeticioni, duke i zëvendësuar me Nottingham Forest.
Klubi apeloi vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), por kërkesa e tyre u refuzua dhe verdikti i UEFA-s mbeti në fuqi.
Zemërimi i tifozëve dhe reagimi i UEFA-s
Në ndeshjet e gushtit kundër norvegjezëve të Fredrikstad në “play-off”-in e Conference League, tifozët e Palace shpalosën një banderolë me mbishkrimin “UEFA MAFIA”, ku logoja e UEFA-s ishte zëvendësuar me simbolin e euros.
E njëjta banderolë u pa edhe në Wembley gjatë ndeshjes së Community Shield kundër Liverpoolit, si dhe në “Stamford Bridge” në hapjen e sezonit të Premier League kundër Chelseat.
Ky veprim ka sjellë reagimin e UEFA-s, e cila ka gjobitur klubin me 10,000 euro për “njollosje të reputacionit të institucionit dhe përhapje të një mesazhi të papërshtatshëm në një aktivitet sportiv”.
Glasner: “Një arritje e madhe”
Megjithë polemikat, skuadra e trajnerit Oliver Glasner arriti të kualifikohej në fazën e grupeve të Conference League pas fitores minimale 1-0 me rezultat të përgjithshëm ndaj Fredrikstad.
“Është një arritje e madhe të futemi në fazën e grupeve,” u shpreh Glasner.
“Ky ishte objektivi ynë i dytë i sezonit pas fitores në Community Shield. Pavarësisht gjithë zhurmës rreth zbritjes nga Europa League, e kemi arritur edhe këtë. Mbrojtëm shkëlqyeshëm, nuk i dhamë kundërshtarit asnjë shans. Sigurisht, mund dhe duhet të përmirësohemi në posedim, por më e rëndësishmja është se jemi aty ku duam.”
Kundërshtarët në grup
Në fazën e grupeve të Conference League, Palace do të ketë përballë ekipe të forta dhe me traditë si: Dynamo Kiev, AZ Alkmaar, Strasbourg, AEK Larnaca, Shelbourne dhe Kuopion Palloseura (KuPS). /GazetaExpress/