Dëshmia e Rubin, Murati: U përgjigj me realitetin politik – Narrativa e Prokurorisë i ngjanë një bote paralele - Gazeta Express
string(106) "deshmia-e-rubin-murati-u-pergjigj-me-realitetin-politik-narrativa-e-prokurorise-i-ngjane-nje-bote-paralele"

Lajme

Gazeta Express

17/09/2025 16:13

Dëshmia e Rubin, Murati: U përgjigj me realitetin politik – Narrativa e Prokurorisë i ngjanë një bote paralele

Lajme

Gazeta Express

17/09/2025 16:13

Njohësi i çështjeve politike, Valon Murati, ka reaguar pas përfundimit së dhënies së dëshmisë nga ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili për tri ditë me radhë dëshmoi për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës.

Murati ka vlerësuar se Rubin i është përgjigjur me realitet politik një ‘’aktakuze absurde politike’’, dhe se Specialja  është prodhim i një konteksti ndërkombëtar dhe presioni të partnerëve të Kosovës të cilët mendonin se me një lëshim tjetër ndaj Rusisë dhe Serbisë, mund të afrohej njohja e Kosovës nga to, shkruan Gazeta Express.

‘‘Një aktakuze absurde politike, Rubini iu përgjigj me realitetin politik

Dhomat e Specializuara janë prodhim i një konteksti të caktuar ndërkombëtar dhe presioni të partnerëve të Kosovës të cilët mendonin se me një lëshim tjetër ndaj Rusisë dhe Serbisë, mund të afrohej njohja e Kosovës nga to. Kjo kohë politike ka kaluar, për këtë të gjithë janë të vetëdijshëm, por këto dhoma na mbetën relikt i asaj kohe. Sidoqoftë ato janë një relikt shumë i dëmshëm. Andaj si prodhim politik, nuk mund të pritej që prokuroria do të ndërtonte ndonjë rast tjetër, përveç një rasti të pastër politik’’, ka thënë ai.

Më tej, Murati ka theksuar edhe se Specialja ka ndërtuar narrativë që i përngjanë një bote paralele, dhe se e njëjta ka një qasje të shtrembëruese e të vërtetave faktike historike.

‘‘Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndërtuar një narrativë, që i përngjan një bote paralele, nga ajo në të cilën kemi jetuar, se Kosova dhe shqiptarët i kanë pasur punët mirë, por një grusht kriminelësh (si ndërmarrje e përbashkët kriminale) një ditë të bukur me diell u çuan dhe e krijuan UÇK-në dhe e strukturuan dhe organizuan në mënyrë të përsosur (të cilës edhe ushtritë e NATO-s kur janë në konflikte të armatosura do t’ua kishin marrë lakminë) për të marrë dhe ushtruar pushtet (cilin pushtet në Kosovën e robëruar?) dhe për të luftuar civilët serbë dhe kundërshtarët politik. Qasje krejt absurde, jashtë realitetit, e shtrembëruese e të vërtetave faktike historike’’, ka shtuar Murati.

Tutje, ai ka thënë se nëse ky proces përfundon me dënime do të mund të krijohet një përshtypje krejtësisht e rreme mbi atë që ka ndodhur në Kosovë.

‘‘Dhe nëse gjeneratat e reja në Kosovë, dhe jashtë saj (nesër gazetarë e studiues të huaj) e lexojnë aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (në rastin Thaçi dhe të tjerët, por njësoj është edhe në rastet në të cilat janë dënuar Cali e Pjetër Shala), dhe ajo përfundon me dënime, do të mund të krijojnë një përshtypje krejtësisht të rreme mbi atë që ka ndodhur në Kosovë, jo në fillim të shekullit të kaluar, por në fund të tij’’, ka vijuar më tej ai.

 Murati në postimin e tij ka thënë edhe se, dëshmia e Rubin kishte elemente të qarta të shpërfaqjes së rrethanave reale politike të kohës.

‘‘Kështu që dëshmia e James Rubin-it, kishte elemente të qarta të shpërfaqjes së rrethanave reale politike të kohës, krejtësisht të shtrembëruara nga prokuroria. Një prej më të bukurave ishte kur u shfaq me figurë dhe zë një podcast i tij i korrikut të këtij viti, ku ai shpërfaq absurditetin e funksionimit të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë duke ndërtuar raste për periudhën kur 95% e krimeve ishin kryer nga një shtet i mirë organizuar me Millosheviqin në krye’’, ka theksuar ai.

Në fund, Murati thënë se ironia më e madhe është se asnjëherë një drejtësi e kënaqshme për këto krime nuk është realizuar, dhe se, prokuroria ndjek ish krerët e Kosovës e pjesëtarët e UÇK-së, sikur ata të kishin qenë e keqja më e madhe

‘‘Ironia më e madhe është se asnjëherë një drejtësi e kënaqshme për këto krime nuk u realizua. Ndërsa prokuroria ndjek ish krerët e Kosovës e pjesëtarët e UÇK-së, sikur ata të kishin qenë e keqja më e madhe. Po vërtet ishin e keqja më e madhe, por e pushtimit dhe e pushtetit shovinist të Serbisë. Sepse fal atij angazhimi dhe lufte, e shkathtësie për t’u pozicionuar drejt në kontekstin ndërkombëtar të kohës, Kosova sot është e lirë’’, ka përfunduar ai. /GazetaExpress