Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se vendimi për pezullimin e Dialogut Strategjik nga ana e Uashingtonit është marrë për shkak të perceptimit se Qeveria në detyrë e Albin Kurtit nuk po bashkëpunon mjaftueshëm me SHBA-në dhe ka ndërmarrë veprime që dëmtojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ai ka paralajmëruar se mungesa e reflektimit nga ana e Qeverisë në detyrë nuk vetëm që rrezikon të dëmtojë marrëdhënien me SHBA-në, por gjithashtu e vendos Kosovën në kontrast edhe me qëndrimet e aleatëve evropianë, të cilët ndajnë shqetësime të ngjashme për drejtimin politik të vendit.
“Vini re se kjo pikëpamje nuk duket të jetë vetëm e Shteteve të Bashkuara. Partnerët evropianë, gjithashtu, kanë vazhduar të shprehin shqetësime të vërteta, lidhur me disa nga zgjedhjet politike të Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Kurti,” u shpreh ai.