Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth Gjykatës Speciale, përfshirë protestën e mbajtur në Hagë dhe dëshminë e ish-zyrtarit amerikan James Rubin. Ai u shprej i ‘shqetësuar’ me pamjet nga atje.
Në Tëvë1, Peci u shpreh se, për shkak të angazhimit në fushatën zgjedhore, nuk ka arritur t’i ndjekë në detaje zhvillimet e fundit.
“Për besë nuk po mundem me arrit me i ndjek të gjitha zhvillimet që janë duke ndodhur, për shkak të dinamikës së madhe që e kam në zgjedhjet komunale. Nuk i di krejt zhvillimet që kanë ndodhur, kam parë disa tituj, por deri sa të jap komente, kam dëshirë me qenë i mirëinformuar. Nuk parapëlqej me dhënë deklarata pa qenë i informuar,” deklaroi ai.
Peci u ndal edhe te protesta e fundit në Hagë, duke shprehur shqetësimin se forma e organizimit mund të ketë efekt të kundërt ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“E di që ka pasur një protestë në Hagë. Unë personalisht e kam bindjen, pa dasht me paragjyku ose me ndiku në çfarëdo çështje të sistemit të drejtësisë, të cilin e kemi themeluar si shoqëri – mendoj se organizimi i tillë, si protesta ku edhe ajo pjesa e rrethojës në Hagë tentohet të demolohet, më shkakton drojë që mundemi me dëmtu procesin, në disfavor të figurave të Kosovës që po përballen me një proces gjyqësor,” u shpreh Peci.
I pyetur për mungesën e reagimit zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me zhvillimet në Hagë, Peci tha se një reagim i tillë duhet të vijë nga Ministria e Drejtësisë.
“Po flitet për një reagim të rëndësishëm, por kur ka reagim nga ne, po thonë që po ndikojmë në procesin e tyre. Edhe një reagim të tillë duhet ta bëjë ministri në detyrë i Drejtësisë,” tha ai.