Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, në bashkëpunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë dhe Kino Armata në Prishtinë, organizon ciklin kulturor “Netët e Filmit Shqiptar”. Një retrospektivë filmash të prodhuar në Shqipëri gjatë viteve ’70–’90, të cilët do të shfaqen nga shtatori deri në nëntor si pjesë e programit publik të kinemasë.
Filmi i parë i programit, “Përrallë nga e kaluara” do shfaqet me 17 shtator prej orës 19:00.
Sinopsis:
“Përrallë nga e kaluara” nga Dhimitër Anagnosti
Marigoja 20-vjeçare është e dashuruar me Trimin, një djalë nga fshati i saj, por detyrohet të martohet me Gjinon, 14-vjeçar nga një familje më e pasur. Bazuar në motive nga poema satirike “14 vjeç dhëndër” nga Andon Zako Çajupi, ky film është një nga filmat komedi më të shquar në kinematografinë shqiptare, i realizuar nga një nga regjisorët më të mirë të filmit shqiptar, Dhimitër Anagnosti.
Skenari dhe Regjia: Dhimitër Anagnosti
Kompozitor: Limos Disdari
Drejtor Fotografie: Pëllumb Kallfa
Prodhuar nga: Kinostudio “Shqipëria e re”
Në role: Elvira Diamanti, Admir Sorra, Robert Ndrenika, Hajrie Rondo, Xhevdet Feri, Xhemil Tagani, Zef Mosi, Mimika Luca, Teli Stefani, Mira Minga, Baftjar Çena, Mehdi Malkaj, Margo Arseni.
Restaurimi 2K u krye në vitin 2015 nga Hungarian Filmlab, në Budapest, nën mbikëqyrjen e AQSHF.
Dhimitër Anagnosti
Ishte një nga figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare. Ai lindi në Vlorë në vitin 1936, kreu studimet për regji filmi në Moskë, dhe pas kthimit në Shqipëri u bë një nga themeluesit e kinemasë kombëtare moderne. Gjatë karrierës së tij ka realizuar dhjetëra filma artistikë ndër të cilët veçohen: ‘Ngadhënjim mbi vdekjen’, ‘Komisari i dritës’, ‘Lulëkuqet mbi mure’, ‘Horizonte të hapura’ dhe ekranizimi i romanit të Kadaresë ‘Kthimi i ushtrisë së vdekur’. Anagnosti është vlerësuar për aftësinë e tij për të sjellë në ekran realitetin shoqëror, dilemat morale dhe dramën njerëzore me një gjuhë filmike moderne e të fuqishme. Pas viteve ’90, ai kontribuoi edhe në jetën publike si Ministër i Kulturës dhe më pas themeloi fondacione për mbështetjen e artit dhe kinemasë shqiptare. Ai ndërroi jetë më 1 shtator 2025 në Tiranë, në moshën 89 vjeçare.
/Express