Ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje, Paul Williams pohoi se ish-Presidenti Hashim Thaçi e mbështeti propozimin për bashkëpunim me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ).
“Po më kujtohet dhe po e mbështeti”, tha Williams duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, dëshmitari tha se vetëm një pjesë e kufizuar e këtyre propozimeve u pranuan nga Grupi i Kontaktit.
Më pas, atij iu prezantua një draft-dokument i marrëveshjes së përkohshme për paqen në Kosovë që më vonë njihej si marrëveshja e Rambujesë.
Williams tha se ky është dokumenti në të cilin ka nënshkruar edhe Thaçi si udhëheqës i delegacionit. Në këtë dokument, iu bëhej thirrje palëve që t’i lirojnë të gjithë personat e ndaluar pa akuza.
Gjithashtu, palëve u ishte bërë thirrje që të përmes mekanizmave ndërkombëtare të gjurmimit, si Kryqi i Kuq, të kërkohej për fatin e të gjithë personave që nuk diheshin se ku ishin.
Dëshmitari tha se këto pika ishin të pranueshme për delegacionin shqiptar të Kosovës.