Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës ka vendosur konfiskimin e disa pasurive në pronësi të familjarëve të shtetasit F.D., i akuzuar për “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bazë të nenit 287 të Kodit Penal.
F.D., i cili është arrestuar nga Policia Metropolitane e Londrës për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”, rezulton gjithashtu i hetuar nga Agjencia Kombëtare kundër Krimit në Angli (NCA) për “trafik droge” dhe “pastrim parash”.
Pas masës së sekuestrimit të mëparshëm ndaj pasurive të tij, Prokuroria ka konfiskuar edhe pasuritë e familjarëve të tij, konkretisht:
-një pasuri të llojit “njësi” me sipërfaqe 100 m²;
-një pasuri truall me sipërfaqe 64 m² dhe një ndërtesë po me 64 m²;
-si dhe një pasuri tjetër me sipërfaqe 30 m².
Ky vendim vjen si pjesë e masave të ndërmarra nga drejtësia shqiptare për goditjen e pasurive të përfituara nga veprimtaritë kriminale.