Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën e së mërkurës ndaj të akuzuarve Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani dhe Ardian Huli për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve në protestat e 2015-ës, në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan zyrtarët policorë Arben Karameta dhe Blerim Pirraku, të cilët deklaruan se nuk iu kujtohet nëse kishin qenë në punë në ditën kritike të protestës.
Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, polici Karameta tha se për shkak që kanë kaluar shumë vite nuk i kujtohet se a ka qenë në punë në ditën kritike, por që kjo gjë mund të evidentohet në Polici, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjithashtu, Karameta tha se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në protesta pasi që ai punon në pjesën e logjistikës në administratë.
Polici tha se ka qenë në dijeni për lëndimin e kolegut të tij, rreshterit Ekrem Vllasa, por që sa i përket rastit nuk i kujtohet asgjë. Gjithashtu, tha se nuk i kujtohet nëse ka dhënë deklaratë në Polici.
Ndërkaq, polici tjetër Blerim Pirraku, tha se ka qenë i angazhuar në protesta si polic ndihmës, por që nuk i kujtohen ngjarjet e datave 17 dhe 18 nëntor 2015.
Seanca pritet të vazhdojë pasdite me shikimin e video-incizimit të ditës kritike.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 dhjetor 2015, në këtë rast akuzohen Egzon Azemi, Luan Hoti, Naim Bunjaku, Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani dhe Ardian Huli.
Mirëpo, për të akuzuarit Avdimetaj, Hasani dhe Huli është veçuar procedura penale dhe ndaj tyre veçmas po zhvillohet procesi gjyqësor.
Në aktakuzë thuhet gjashtë të akuzuarit e lartcekur më 17 dhe 18 nëntor 2015, kanë marrë pjesë në turmën-protestën e organizuar, e cila protestë ka eskaluar dhe përkundër faktit se forcat e rendit vetëm ishin rreshtuar dhe po mbanin situatën nën kontroll, të akuzuarit si pjesëmarrës aktiv të protestës, i kanë sulmuar seriozisht policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.
Aty thuhet se si pasojë e kësaj u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore pjesëtarëve të policisë, të dëmtuarave Smail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasa, si dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 412, paragrafi 1, si dhe veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.