Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, vazhdoi dje ditën e dytë të dëshmisë
në Gjykatën Speciale në Hagë, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes.
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parashikon që deri më 14 nëntor, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së fundit, të mbyllet rasti i mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së pritet të jetë gati për të dorëzuar shkresat përfundimtare të gjykimit deri më 22 dhjetor të këtij viti.
Gjykatësi vlerësoi se për përfundimin e dëshmive do të duhen rreth 35 ditë pune – me pesë orë dëshmi në ditë, duke parashikuar përfundimin e tyre në dhjetor.
Ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit njoftuan se nuk do të paraqesin dëshmi mbrojtëse.
Rubin: Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK
Rubin, ka folur për diskutimet në administratën amerikane të Bill Clintonit për armatosjen e UÇK-së.
Ai ka thënë se nuk kanë mundur t’iu thoshin luftëtarëve që “nuk ju japim armë, sepse ju nuk jeni të organizuar”.
“Po bënim një gjykim sa i përket argumentit për armatosjen apo jo të UÇK-së”.
“Dhe, ne kemi thënë se kjo nuk është ide e mirë, sipas nesh, sepse nuk ekziston një strukturë e mirëfilltë politike, ose nuk ka kontroll efektiv”.
“Bëmë gjykimin tonë më të mirë, kemi bërë një vlerësim, duke marrë parasysh strukturën organizative të UÇK-së, duke marrë parasysh aspektin e kontrollit dhe komandës, që ne besonim që UÇK-ja nuk e kishte”.
“Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK”, theksoi ai.
Rubin: Më shqetëson fakti që dikush të qëndrojë i paraburgosur për pesë vjet
James Rubin tregoi arsyet pse ai ka refuzuar të jetë dëshmitar i Prokurorisë në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke thënë se kjo ka të bëjë me pikëpamjet e tij për Gjykatën Speciale.
Ai e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.
“Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson”, tha ai.
Sipas Rubinit, kjo s’ka të bëjë me shtetin e së drejtës dhe, sipas tij, Madeleine Albright nuk ka pasur këtë në mendje kur ka formuar Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë.
“Kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi”, shtoi ai.
“Mua kjo më është dukur si fajësim politik, për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së”.
Rubin: U përgatita prej vitesh për këtë gjykim
Rubin tha se është përgatitur prej vitesh për këtë moment.
Një prokuror, e pyeti për takimet e tij me mbrojtjen e Thaçit dhe i kujtoi se ka thënë se është përgatitur “me qindra orë” për të qenë dëshmitar në këtë rast.
“A mund të na thoni çfarë keni bërë në këto qindra orë, dëshmitar?”, e pyeti prokurori.
Rubin, tha ndër tjerash, se ka marrë lejen e Departamentit amerikan të Shtetit për të dëshmuar në mbrojtje të Thaçit.
“Kam qenë shumë i zënë në profesionin tim, në punën time. Kam qenë gjithashtu edhe këshilltar i zotit Blinken nga viti 2022-2025 dhe më duhet të them që për dëshirën time, për të qenë i disponueshëm në gjykatë. Po ashtu kam shpenzuar shumë orë për t’u siguruar që Departamenti i Shtetit të më lejonte të jepja dëshminë. Ishte vërtetë një barrë e shtuar për mua”, tha ai.
Diplomati me përvojë amerikan tha se për Gjykatën Speciale ka filluar të mendoj që herët dhe se ka pritur me vjet për nisjen e gjykimit.
“Pesë ose gjashtë vjet më përpara kam filluar që të dëgjoja së pari për këtë gjykim, fillova që të shikoja formacionin, përbërjen e këtij tribunali. Sepse është krijuar, kam folur me akademikë, kam folur me juristë, jam përpjekur gjithashtu që të rishikoj, të shqyrtoj me aq sa di unë artikujt me shkrim ose dokumente të cilat janë paraqitur në ekran, të cilat lehtësisht shfaqen këtu, por nuk kanë qenë lehtësisht të shfaqura për mua. Rilexova shumë nga materialet ose artikujt, jam takuar gjithashtu edhe me ekipin e mbrojtes në Ëashington, ndoshta një herë, ose mbase edhe dy herë, jam takuar një ditë të plotë një herë ose dy ditë të plota, kam menduar pra, kam kaluar pesë vite duke folur, duke menduar për këtë, duke u përgatitur. Mendoja nga viti në vit se do të hapet gjykimi sot, do të hapet nesër, ndërkohë që vitet kalonin dhe asgjë s’ndodhi për shumë vite. Pra, për vite kam menduar për këtë, kam lexuar për këtë, kam vrarë mendjen sepse u deshën pesë vite për të krijuar një çështje të tillë, ndërkohë që aktakuza është ngritur pesë vite më përpara”.
Rubin tha se juristë dhe avokatë eminentë ndërkombëtarë i kanë thënë se ishte e pazakonte mënyra se si Thaçi u arrestua dhe u dërgua në paraburgim, ndërkohë që gjykimi ndaj tij nisi shumë vjet më vonë.
“Nuk e kuptoja gjithë këtë dhe i kam pyetur njerëzit e kësaj fushe, njerëzit e kësaj lamie. U kam thënë në qoftë se një gjë e tillë ishte normale apo jo. Kam folur me juristë, me avokatë me emër ndërkombëtarë që më kanë thënë që kjo është mënyrë e pazakontë për ta trajtuar një burrë shteti i cili është dorëzuar vullnetarisht dhe në juridiksionin e gjykatës që e ka krijuar vetë kur ka qenë kryeministër dhe për t’u treguar liderëve europianë që kishte dëshirë që vendi i tij të bëhej pjesë e BE-së. Ndërkohë që ky burrë shteti mbahet i ndaluar për pesë vite përpara se çështja të ishte gati”, tha ai.
Rubin: Shqiptarëve iu bëmë thirrje që të mos merrnin hak për horrorin që kishin përjetuar
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, po vazhdon dëshminë e nisur dje para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ai është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit dhe po merret në pyetje nga Prokuroria.
Rubin deklaroi të martën në Hagë se nuk i kujtohet incidenti në ndërtesën e MUP-it në Prizren. Por ai tha se shqiptarëve të Kosovës, u është bërë thirrje që të mos merrnin hak për atë që kishte ndodhur.
“Ne kemi bërë thirrje për tolerancë, kemi bërë thirrje që të mos merrej hak për vrasjet masive që iu bënë shqiptarëve dhe serbëve. Kemi inkurajuar shokët e komunitetit të shqiptarëve që të mos merrnin hak për atë që iu kishte ndodhur, për horronin që kishin përjetuar”, ka thënë Rubin.
Rubin flet për takimin e fundit me Thaçin: Diskutuam për paqen e përhershme me Serbinë
Rubin gjatë dëshmisë së tij në Hagë është pyetur nga ekipi i Prokurprisë se cili ishte kontakti i fundit që ai kishte pasur me ndonjë person që vepronte në emër të Hashim Thaçit apo në interes të këtij të fundit, ai përmendi emrin e Pierre-Richard Prosper, ish ambasador për krime lufte i Qeverisë amerikane.
Rubin: “Para kontaktit me z. Prosper, po më merrni në pyetje në mënyrë të panevojshme. Ka qene diku mes nxjerrjes publike të aktakuzës e thash tri herë që z.Prosper na ka takuar dhe kohës që jam takuar në Paris me të por ka qene diku në atë periudhë”.
Prokuroria: Para se Prosper të ju takoj, kur është hera e fundit që dikush ju ka takuar dhe ky person vepronte në emër të z.Thaçi?
Rubin: “Hera e fundit qe kam qenë me z.Thaçi ne periudhën 2020, kur kam qenë përfaqësues në kërkim të një paqeje të përhershme me Serbinë. Përpara aktakuzës kam punuar me të. Në 2020 ka qenë hera e fundit”.
Prokuroria: Diskutuat me Thaçin për këtë Gjykatë?
Rubin: “Pjesa kryesore kishte të bënte me paqen e përhershme me Serbinë. Diçka tjeter mund të ketë qenë anësore”.
Rubin: Thaçin e konsideronim udhëheqës, e kishin caktuar vetë shqiptarët
James Rubin ka sqaruar edhe njëherë përshtypjet e tij për Hashim Thaçin në periudhën e Konferencës së Rambujesë.
Sipas Rubinit, Thaçi ishte personi kyç me të cilin ai duhej të punonte, në mënyrë që Marrëveshja të pranohej nga UÇK-ja.
“Ne mendonim se LDK-ja, Veton Surroi, ishin dakord për këtë, dhe ajo [sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright] më tha që duhej të punoja me të [Thaçin], sepse ishte personi i rëndësishëm, ishte personi kryesor që e kishin caktuar shqiptarët e Kosovës”, tha Rubin.
“Nëse doni e quajmë udhëheqës, nëse doni person të kontaktit”, u shpreh ai.
Ai e përshkroi rolin e Thaçit në atë kohë si të një kryediplomati të Kosovës.
“Pra, unë atë e kam parë si ministër të Jashtëm, që pasqyronte pikëpamjet e ushtrisë së vet, të qeverisë së vet, që nënshkruante, pra ashtu si një ministër i Punëve të Jashtme”, shtoi Rubin.
Rubin: Demaçi thoshte ose pavarësi ose le të vdesim, Thaçi kishte nevojë për përkrahjen e tij
James Rubin po vazhdon dëshminë në Hagë. Ai ka treguar se si Hashim Thaçi atë kohë kishte menduar se i duhej ndihmë nga Adem Demaçi.
Rubin gjatë dëshmisë së tij ka treguar edhe se cili ka qenë pozicioni i Adem Demaçit rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës.
“Hashim Thaçi mendonte se kishte nevojë për Adem Demaçin që ta ndihmonte. Ai nuk ka thënë ne nuk duam pavarësi, por jo tani, jo në këto momente. Ai donte të tregonte se çështjen e pavarësisë ta diskutojmë më vonë. Demaçi thoshte ose pavarësi ose le të vdesim. Z.Thaçi kishte nevojë që edhe Demaçi të thoshte ta shtyjmë. Prandaj, Demaçi ishte eprori i tij nga pikëpamja e vendimmarrjes, jo se ishte përgjegjës. Ai kishte nevojë për mbështetje ideologjike. Demaçi tha Albright ose pavarësi ose le të vdesim për të gjithë’, tha Rubin.
Rubin kishte thënë se Thaçin e akuzuan, kur po e bënte marrëveshjen me Serbinë
James Rubin pranoi se në një intervistë në korrik të këtij viti, kishte thënë se ish-presidentin Hashim Thaçi e kanë akuzuar në momentin që po e bënte marrëveshjen me Serbinë.
Gjithashtu, Rubin kishte thënë se Gjykata Speciale është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrollit.
“Po tani tribunali i Kosovës është shembulli i drejtësisë ndërkombëtare që ka dalë jashtë kontrolli. Krijuan një çështje të pabazë për drejtuesin e çështjeve të Kosovës dhe e kanë akuzuar në momentin që po krijonte marrëveshje paqeje me Serbinë, e futën në burg. Ka qenë në burg për katër vite e më shumë por nuk janë në gjendje as t’i mbledhin të gjitha provat bashkë që tri vite e gjysmë sepse po shpikin ligjin”, u dëgjua të ketë thënë Rubin,
Dëshmitari tha se i kujtohet që i ka thënë këto deklarata dhe si rrjedhojë pjesë të videos u pranuan në prova materiale.
Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar, duke shtuar se mund të kenë pyetje të tjera që dalin nga përmbledhje ose deklarata të dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes që nuk janë marrë ende. Pace tha se kjo do të varet krejtësisht prej deklaratave të dëshmitarëve të tjerë.
Prokuroria kthen një intervistë të Rubin ku i quante “të turpshme” Prokurorinë së Speciales, ai qesh dhe i qëndron fjalëve
Prokurori që po ekzaminon si dëshmitar James Rubin-in si i dëshmitar i mbrojtjes së Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale, ia ktheu një intervistë të dhënë vitin e kaluar në “N1” ku ai e quan “të turpshme” punën e Prokurorisë Speciale në barazimin e krimeve të luftës të Sllobodan Millosheviqit me ato të luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës.
Pasi e dëgjoi gjer në fund deklarimin e vet të rikthyer nga Prokuroria, Rubin e dëgjoi deri në fund dhe buzëqeshi.
“Po e përdor si shembull përndjekjen e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, që është për të ardhur turp. Qeveria e Kosovës krijoi tribunalin e vet nën urdhrin e Perëndimit dhe pastaj ai u përndoq nën një teori tërësisht absurde se ai gjoja paska kontrolluar gjithçka që qartazi nuk është e vërtetë. Dhe, për më keq, po e mbajnë në burg për shumë vite sepse nuk po dinë qysh t’ia bëjnë për ta mbajtur këtë gjyq që të vazhdojë tutje. Shpresoj që të jem dëshmitar në mbrojtje të Hashim Thaçit ku besoj se është një çështje e shtrembërimit të sistemit të drejtësisë: ku është një përpjekje që po bëhet nga disa liderë politikë që po provojnë të tregojnë këtë tregimit e “dypalshmërisë” që edhe serbët edhe kosovarët paskan kryer krime lufte. Jo. Ushtria e Serbisë kreu 95 për qind të vrasjeve masive, jo të gjitha vrasjet, po i tërë problemi në Kosovë, dhe të provosh të barazosh shqiptarët e Kosovës me atë çka lideri i Serbisë, Millosheviq bëri është e turpshme. Dhe fakti që as s’e lënë Hashim Thaçin për t’u liruar me kusht përderisa ai i priste ata që të ta mbledhin atë akt..”, thoshte Rubin.
Prokurori: Ju jeni që po i thoni këto fjalë?
Rubin: Shumë herët në mëngjes, po.
Rubin pyetet për akuzat e Dick Marty-it: E di që s’doli kurrë diçka prej tyre
Prokurori kundërshtoi “relevancën” e referimit të akuzave të Dick Marty-it, ish-senatorit zviceran që akuzoi UÇK-në për trafikim organesh.
Por, avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, insistoi sepse tha se kjo gjykatë është ngritur saktësisht për ato akuza të cilat përfunduan të papërfshira në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Avokati: A e dini çka ndodhi në fund të fundit me akuzat e Martyt?
Rubin: Besoj që kurrë s’doli asgjë nga ajo.