Një shtëpi në qytetin Wierki, në rajonin e Lublinit, u dëmtua rëndë javën e kaluar gjatë një interceptimi të dronëve rusë në hapësirën ajrore të vendit të Polonisë.
Fillimisht, besohej se dëmtimi i çatisë ishte shkaktuar nga copëza të një droni rus, por sot mediapolake “Rzeczpospolita” zbuloi se objekti fluturues i paidentifikuar që ra mbi shtëpi ishte, ndoshta, një raketë e lëshuar nga një F-16 polak, me qëllim rrëzimin e një droni.
Raketa në fjalë thuhet se pati një mosfunksionim në sistemin e saj të drejtimit, duke bërë që ajo të mos e synonte siç duhet objektivin. Sipas të njëjtit raport, raketa, e cila është afërsisht 3 metra e gjatë dhe peshon mbi 150 kilogramë, nuk shpërtheu, pasi pajisjet e sigurisë së detonatorit u aktivizuan, sipas burimit të cituar nga faqja e internetit.
Banorët e shtëpisë u shpëtuan, pasi pronarja, siç pretendoi ajo, arriti të dilte nga dhoma e gjumit pak para se të shtypej nga rrënojat e çatisë.
Rasti po hetohet nga zyra e prokurorit ushtarak të Lublinit, me ekspertë që po shqyrtojnë gjetjet në terren, por nga qeveria polake dhe Ministria e Mbrojtjes ende nuk e kanë komentuar incidentin.
Në të njëjtën kohë, autoritetet lokale pretendojnë se familjes do t’i jepet ndihmë financiare për riparime. Vlerësimi fillestar i dëmit është rreth 50,000 zloty (rreth 12,000 euro).