James Rubin tha në Hagë se në Kosovë nuk ka parë asgjë që i ngjason Shtabit të Përgjithshëm në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Dëshmitari tha se përveç që nuk ka parë ndonjë Shtab, ai nuk ka parë ndonjëherë as gjeneral, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Unë nuk kam parë asgjë në Kosovë që i përngjante Shtabit të Përgjithshëm. Nuk ka pas ndonjë Shtab për gjeneralët në kontekstin e Kosovës. Unë s’kam pa ndonjëherë gjeneral. Unë s’kam pa ndonjëherë Shtab të Përgjithshëm të gjeneralëve”, tha James Rubin.
Kjo deklaratë e James Rubin erdhi pasi deklaroi se UÇK-ja nuk kishte as strukturë.
Përveç kësaj, gjatë dëshmisë, Rubin tregoi për qëndrimet e diplomatit Christopher Hill kundër UÇK-së.
Dëshmitarit gjatë dëshmisë iu prezantua një pjesë e një libri ku Rexhep Selimi kishte treguar se edhe pasi komandantët e zonave kishin rënë dakord që marrëveshja të nënshkruhej, Adem Demaçi insistonte të kundërtën dhe donte që të shtronte ndikimin mbi ata. Sipas Selimit, kjo ishte arsyeja që Adem Demaçi i kishte ftohur raportet me komandantët e UÇK-së.
Kur sërish iu përmend “Shtabi i Përgjithshëm” duke u thirrur në atë që ata ishin të gatshëm të nënshkruante, dëshmitari tha se ka problem me këtë term. Megjithatë, tha se personi që i ka shkruar këto gjëra nuk duket shumë i besueshëm pasi ai ka dyshuar që NATO-ja do të ndërhynte.
Rubin tha se si duket ky person nuk e ka kuptuar se si funksionon NATO dhe perëndimi ose nuk ka qenë i informuar siç ishte Thaçi në Rambuje.