FIFA e ka aprovuar kërkesën e Federatës Serbe të Futbollit që ndeshja e ndjeshme mes Serbisë dhe Shqipërisë të zhvendoset nga Beogradi në Leskovc.
Krerët e futbollit serb, të sugjeruar edhe nga presidenti Aleksander Vuçiç e konsiderojnë më të favorshëm Leskovcin, një vend më i qetë, në krahasim me kryeqytetin serb, i cili së fundmi është bërë arenë e incidenteve, qoftë ato të protestuesve të revoltuar apo edhe të incidenteve që ndodhën në ndeshjen me Anglinë në këtë muaj.
E presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë në emisionin “Opinion” në Klan, ka folur për këtë zhvendosje.
“Ndeshja vendoset nga FIFA sepse këto janë eliminatore të Botërorit. Ka afate për vendosjen e stadiumeve. Federata e Serbisë kishte vendosur që ndeshja të zhvillohej në Beograd, në stadiumin e Crvena Zvezda, por pas ndeshjes me Anglinë, ku ata, për shkak të situatës politike në Serbi dhe njerëzit në stadium nuk kishin shumë konflikt me anglezët, por me veten, kanë kërkuar nga ne dhe FIFA që të ndryshojnë vendin e organizimit dhe të shkojmë në Leskovc.”
“Ne e kemi pranuar këtë kërkesë. Stadiumi është shumë i mirë, shumë i vogël, rreth 8 mijë vende. Është më i kontrolluar dhe besoj se do jetë më i mirë nga pikëpamja organizative dhe për ta. Është më mirë Leskovci, sepse nëse do ishte më keq ne do të insistonim që ta luanim në Beograd.”
Serbia dhe Shqipëria do të përballen mes vete më 11 tetor në Leskovc, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2026. /Gazeta Express