Shahini: Kosova në pozitën më të rëndë që nga paslufta - Gazeta Express
string(53) "shahini-kosova-ne-poziten-me-te-rende-qe-nga-paslufta"

Lajme

Gazeta Express

16/09/2025 13:15

Shahini: Kosova në pozitën më të rëndë që nga paslufta

Lajme

Gazeta Express

16/09/2025 13:15

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, duke thënë se sanksionet e Bashkimit Evropian dhe pezullimi i dialogut strategjik me SHBA-të po e vendosin shtetin në pozitën më të rëndë që nga paslufta

Sipas tij, përjashtimi nga nisma e partneritetit strategjik, është ndër masat më serioze që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë ndonjëherë ndaj Kosovës.

“Kjo është një nga veprimet më të rënda që Amerika i ka bërë Kosovës”, u shpreh Shahini.

Shahini paralajmëroi se vendosja e Kosovës në një grup me shtete si Rusia, Kina dhe Gjeorgjia, të cilat janë përjashtuar nga dialogu strategjik, ka pasoja të mëdha për imazhin ndërkombëtar të vendit.

Duke folur për zhvillimet e fundit, ai shtoi se pezullimi i dialogut me SHBA-të, vendos Kosovën në pozitë të krahasueshme me vendet që konsiderohen si agresorë ndaj dekomkracisë.

“Kosova po përceptohet njejtë si Rusia pas agresionit në Ukrainë”, duke shtuar se vendi rrezikon të shihet si kërcënim ndaj demokracisë perëndimore dhe asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndër të tjera ai shtoi se kjo gjendje rrezikon në masë të madhe rënien e investimeve të huaja dhe dëmtimin e rëndë të imazhit politik, ekonomik dhe diplomatik të Kosovës.

Lideri i AKB-së gjithashtu kritikoi qeverisjen e brendshme dhe ngërçin institucional që sipas tij ka ndikuar në thellimin e krizës.

“Është e pakuptimtë që institucionet janë jashtë funksionit tash e një vit dhe merren me fushatë,” tha ai, duke shtuar se “nuk shihet fundi i ndërtimit të institucioneve.”

Ai thotë se mesazhi i SHBA-ve është i qartë, ku sipas tij, të njejtit kërkojnë ndryshim qasjeje, veçanërisht nga kryeministri Albin Kurti.

“SHBA marrin veprime të ngjajshme kundër liderit të një shteti në këtë rast Albin Kurtit, e qe më këtë deshirojnë t’i dërgojnë mesazh votuesve që të ndryshojnë mendjen, qasjen edhe vetë liderit që të ndryshojë qasjen ndaj votuesve, ndaj partnerëve vendor e ndërkombëtar”.

Ai përfundoi duke paralajmëruar se, nëse kjo situatë vazhdon, rënia e investimeve të huaja dhe dëmtimi i besimit ndërkombëtar do të jenë pasoja të pashmangshme. /Gazetablic