Sulmi tokësor izraelit për marrjen e kontrollit të plotë të qytetit të Gazës tashmë ka nisur. Ushtria izraelite njoftoi se tanket u urdhëruan që natën e të hënës të nisin sulmin brenda qytetit, ndërsa këto filmime tregojnë pamjet e shpërthimeve të fuqishme në kryeqendrën e Rripit të Gazës, që duken nga larg, pasi në brendësi të qytetit është e pamundur hyrja e mediave.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Izrael Katz, shkroi në rrjetin social X se Gaza po digjet dhe se ushtria izraelite po godet me “grusht të hekurt” infrastrukturën terroriste. Vetëm brenda pak orëve janë shënuar 38 viktima brenda qytetit.
Sulmi pritet të rëndojë bilancin prej 65 mijë viktimash të gati dy viteve luftë në Rripin e Gazës, pasi ky qytet strehon gati gjysmën e popullsisë së gjithë territorit dhe evakuimet, sipas të dhënave të deritanishme, vetëm 1/3-ta janë larguar.
Edhe pse një nga synimet e pushtimit të plotë të qytetit të Gazës është lirimi i 20 pengjeve të mbetur gjallë në duart e Hamasit, familjarët i druhen faktit se në këtë ofensivë ata mund të vriten.
Agjencia Humanitare e Kombeve të Bashkuara publikoi një raport ku arrihet në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid ndaj palestinezëve.
Ndërsa qeveria izraelite e quajti raportin “fals”.