Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad ka ngritut aktakuzë kundër trembëdhjetë personave për shkak të shembjes së stacionit hekurudhor në këtë qytet.
Sipas raportimeve të mediave në Serbi, në mesin e tyre është edhe Goran Vesiq, ish-ministër i Infrastrukturës.
Gjatë hetimit, Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad thekson se veproi brenda juridiksionit të saj dhe në interes të hetimit. E vetëdijshme për rëndësinë e kësaj procedure, kjo prokurori thotë se përdori të gjitha burimet njerëzore dhe materiale në dispozicion për të përcaktuar situatën e plotë faktike.
“Me rastin e ngjarjes tragjike të 1 nëntorit 2024, kur gjashtëmbëdhjetë persona humbën jetën dhe një person u plagos rëndë për shkak të rrëzimit të tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad informon publikun se më 16 shtator 2025, në përputhje me ligjin, ngriti aktakuzë kundër trembëdhjetë personave të akuzuar për shkak të dyshimit të arsyeshëm se kanë kryer krime që kualifikohen ligjërisht si Krime të Rënda kundër sigurisë së përgjithshme sipas nenit 288 paragrafi 2 i Kodit Penal”, deklaron Prokuroria.