Një vrasje ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:42 në fshatin Balaj të Ferizajt ku një 40-vjeçar mbeti i vdekur.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar sot se i dyshuari me iniciale B.R., është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja”.
“Prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty në bashkëpunim të plotë me Policinë e njësitë relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarje. Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari me iniciale B.R., është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Ndërsa, trupi i pajetë i viktimës (I.R), është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë, për obduksion.
Aktualisht, Prokuroria Themelore në Ferizaj tha se është duke punuar për të sqaruar tutje të gjitha rrethanat dhe motivin e kësaj çështje penale.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, pranë gjykatës kompetente.