Më mirë të të heqin, se sa të vetëshkruash fundin - Gazeta Express
string(48) "me-mire-te-te-heqin-se-sa-te-veteshkruash-fundin"

Lajme

Gazeta Express

16/09/2025 9:40

Më mirë të të heqin, se sa të vetëshkruash fundin

Lajme

Gazeta Express

16/09/2025 9:40

Ali Ahmeti po e mbyll ciklin jo me betejë, por me lëshime të dhimbshme. Struga dhe Gostivari janë vetëm fillimi i një harte humbjeje që po e vizaton vetë, ndërsa VMRO dhe Kurti po i vendosin gurët e varrit politik.

Ali Ahmeti nuk po rrëzohet nga kundërshtarët. Po e rrëzon vetveten. Me dorë të qetë, me vendime që e dërmojnë nga brenda, me heshtje që tingëllon më shumë se çdo fjalë. Kjo nuk është më histori e një udhëheqësi që lufton për të mbrojtur trashëgiminë, por e një njeriu që nuk e pranon fundin dhe përpiqet ta vonojë duke e bërë edhe më të dhimbshëm.

Në Shkup është ndërtuar tashmë një qeveri që e ka përjashtuar nga çdo ekuacion. Dhe ajo qeveri nuk është vetëm rezultat i votës. Është projekt politik i një nacionalizmi maqedonas që u rikthye në formën më dinake të mundshme: pa britma, por me goditje të heshtura. Pa simbolikë flamujsh, por me skemë llogarie. Dhe këtu, Hristijan Mickoski po luan mjeshtërisht rolin e arkitektit të një shteti ku shqiptarët nuk janë më faktor, por numër, dhe as përballë numrit nuk kanë më përfaqësim.

Por më i rëndi në këtë lojë është fakti se ky projekt nuk po ndodh pa ndihmën e shqiptarëve. Po ndodh me firmën e tyre. Me heshtjen e disa dhe me aleancën e të tjerëve. “Vlen” nuk është thjesht një front opozitar, është një vegël për të përmbysur peshoren e përfaqësimit tradicional shqiptar.

Albin Kurti e lexoi këtë situatë si shans për të ndëshkuar të vjetrën, por pa ndërtuar të renë. Ai ndihmoi në rrëzimin e një sistemi që kishte mbijetuar 20 vjet në Maqedoni, pa u menduar se çfarë do ta zëvendësonte. Mickoski, ndërkohë, përdori këtë ndërhyrje për të pastruar të gjithë skenën politike shqiptare nga figurat që përfaqësonin kujtesën, luftën dhe lidhjen me Tiranën e Prishtinën.

Në mes të kësaj loje, Ali Ahmeti nisi të trokasë derë më derë. U ul me Mickoskin. E uli kokën. I kërkoi hyrje në qeveri si garanci stabiliteti. Por ajo që mori nuk ishte ftesë. Ishte heshtje. Dhe ajo heshtje tani po i përgjigjet me humbje.

Zgjedhjet lokale do të jenë prova e parë. Struga është jashtë kontrollit. Gostivari po shkon drejt duarve të mbikqyrjes se VMRO me ndihmën e hapur të shqiptarëve. Në Çair, Bujar Osmani është lënë vetëm përballë një makinerie të ndërtuar për ta mundur. Komunat po shpërndahen me marrëveshje të mbyllura përpara se të votohet. Balotazhi nuk do të ndodhë në shumicën e komunave. Raundi i parë do të jetë fatura politike e një dorëzimi të heshtur.

BDI nuk do të shkatërrohet nga opozita. Do të shpërbëhet nga fragmentimi i brendshëm. Katër udhëheqës, katër komuna, katër feude. Asnjë bosht. Asnjë qendër. Vetëm territore personale, pa projekt kombëtar. Aty ku dikur kishte një parti, do të ketë copa me flamur të përbashkët, por pa busull të njëjtë.

Në këtë hartë, vetëm Menduh Thaçi refuzoi të bëhej pjesë e skenës. E kishte ftesën për të hyrë në qeveri. Por nuk pranoi të bëhej figurë dekori. E kuptoi që ajo ishte ftesë për nënshtrim, jo për përfaqësim. Dhe e ruajti qëndrimin – jo postin.

Ky është momenti kur Ali Ahmeti mund të fitonte ndoshta pak më shumë respekt me heshtje se me fushatë. Sepse në vend që të mbrohet trashëgimia, po shembet me duart e atyre që i ka ushqyer vetë politikisht.

E gjithë skema është e qartë. Mickoski do ta japë fitoren në raundin e parë. Nuk do të ketë pazare. As negociata. Do të ketë dorëzim të komunave në mënyrë kirurgjikale. Për të shkatërruar Ali Ahmetin si simbol, jo vetëm si lider. Për të fshirë çdo kujtim të fuqisë që shqiptarët patën në këtë shtet.

Në fund të këtij cikli, nuk do të ketë më vetëm humbës politikë. Do të ketë një elektorat të dëshpëruar. Një popullsi shqiptare e përçarë. Një shtet që do të duket më stabil, por që do të ketë hequr nga vetja çdo formë barazie reale.

Kur shqiptarët ndahen, dhe kur bashkohen vetëm për njëri-tjetrin, pa ide dhe pa drejtim, atëherë askush nuk mund ta fajësojë më Mickoskin për strategjinë. Sepse ai po e luan lojën që po ia lejojnë të tjerët.

Në këtë fazë, Ali Ahmeti nuk po vdes politikisht. Po vetëposhtërohet me vetëdije. Dhe historia do ta gjykojë jo për atë që ndërtoi, por për mënyrën si zgjodhi ta shembë vetë.