Grenell kërkon revokimin e vizës për një gazetar gjerman - Gazeta Express
string(56) "grenell-kerkon-revokimin-e-vizes-per-nje-gazetar-gjerman"

Lajme

Gazeta Express

16/09/2025 8:14

Grenell kërkon revokimin e vizës për një gazetar gjerman

Lajme

Gazeta Express

16/09/2025 8:14

Richard Grenell, ish-ambasadori amerikan në Gjermani dhe i besuar i presidentit Donald Trump, ka kërkuar të revokohet viza e drejtuesit të studios së televizionit publik gjerman ZDF në Uashington.

Stacioni televiziv publik gjerman, ZDF, e mori në mbrojtje korrespondentin e tij në Uashington, Elmar Thevessen, kundër kritikave të ashpra nga ish-ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell.

“Puna e Elmar Thevessen-it mbrohet nga liria e shtypit”, deklaroi ZDF. Liria e shtypit është një aset i çmuar në Gjermani dhe SHBA.

Grenelli e ka quajtur ndër të tjera drejtuesin e studios së ZDF-së në Uashington si radikal të majtë dhe ka kërkuar që viza e tij amerikane të revokohet.

Grenelli që konsiderohet si person i besuar i Trump-it pretendon se Thevessen kishte bërë thirrje të përsëritura për dhunë kundër njerëzve me të cilët nuk pajtohej politikisht.

Reagon Shoqata Gjermane e Gazetarëve

Edhe Shoqata Gjermane e Gazetarëve (DJV) e kritikoi kërkesën e Grenellit për heqjen e vizës.

“Për sa kohë që gazetarët veprojnë brenda kornizës së lirisë së shtypit dhe lirisë së shprehjes, masat shtetërore detyruese nuk i përkasin arsenalit të demokracive liberale”, tha kryetari federal i DJV-së, Mika Beuster.

Në një letër drejtuar Ambasadës Amerikane në Berlin, shoqata bëri thirrje për t’u dhënë fund kërcënimeve të tilla.

Grenelli ishte ambasador i SHBA-së në Gjermani nga viti 2018 deri në vitin 2020 – gjatë mandatit të parë të Trumpit.

Gjatë kësaj kohe ai ishte shpesh objekt kritikash për sjelljen e tij mjaft jodiplomatike.

Kufizimi i vizave për gazetarët e huaj

Në fund të gushtit qeveria amerikane njoftoi se do të kufizonte vlefshmërinë e vizave për gazetarët e huaj.

Vizat e gazetarëve do të lëshohen për një maksimum prej 240 ditësh, për gazetarët nga Kina madje vetëm për 90 ditë. Aktualisht viza të tilla janë të vlefshme deri në pesë vjet. /DW