Ismail Qemal Vlora apo Syrja Vlora? - Gazeta Express
string(34) "ismail-qemal-vlora-apo-syrja-vlora"

OP/ED

Gazeta Express

15/09/2025 20:17

Ismail Qemal Vlora apo Syrja Vlora?

OP/ED

Gazeta Express

15/09/2025 20:17

Shkruan: Kurt Gostentschnigg

Ne duam të krahasojmë rolin e Ismail Qemal Vlorës me atë të Syrja Bej Vlorës në Luftën e Parë Ballkanike dhe në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Pranimi i katërmbëdhjetë pikave të Hasan Prishtinës nga ana e Portës së Lartë në gusht 1912, të mbështetura nga Ballhausplatz-i, d.m.th. nga Ministria e Jashtme austro-hungareze, premtonte për herë të parë krijimin e vilajetit të bashkuar me emrin Shqipëri nën sovranitetin osman dhe në rastin më të keq nën protektoratin e Austro-Hungarisë.[1] Mirëpo shqiptarët gjendeshin në një dilemë të madhe: nga njëra anë synonin vazhdimin e përpjekjeve kundër qeverisë osmane për arritjen e kërkesave të tyre, nga ana tjetër ishin koshientë se shtetet e tyre fqinje, të cilat donin të shkëputnin territore shqiptare nga Perandoria Osmane, nuk ishin aleate të natyrshme të tyre. Më 14 tetor 1912 „Shoqëria e Zezë për Shpëtim“ iu drejtua përfaqësive diplomatike në Shkup me një letër, ku theksoi faktin se shqiptarët do të rroknin armët për të mbrojtur njësinë e tyre territoriale dhe jo për të mbrojtur Perandorinë Osmane.

Shkurt para shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike filluan përpjekjet intensive të aktorëve austrofilë deri atëherë më lojalë, të Syrja Bej Vlorës dhe djalit të tij Eqrem Bej Vlora, për të mbledhur një kuvend kombëtar shqiptar. Lidhur me këtë ndërmarrje dy protagonistët na paraqesin versione të ndryshme. Veç kësaj rindërtimi i ngjarjeve të kësaj faze vendimtare për historinë e Shqipërisë nga shpërthimi i Luftës së Parë Ballkanike deri në Shpalljen e Pavarësisë vështirësohet nga të dhënat pjesërisht të pasakta dhe të ndryshme që gjenden në rrëfimet e dy protagonistëve, të cilat në rastin më të mirë përputhen vetëm me vështirësi ose nuk pajtohen fare me kronologjinë e përhapur të ngjarjeve në literaturën profesionale.

Shembulli më i dukshëm për këtë ngatërrim është renditja e mbrapshtë të dy kapitujve në kujtimet e Syrja Vlorës: ai shkruan së pari mbi bisedimet e tija rreth mesit të tetorit 1912 në Vjenë me udhëheqjen e atjeshme dhe në vijim  mbi përpjekjet e tija të nisura në fund të shtatorit 1912 për mbledhjen e një kuvendi në Vlorë.

Versioni[2] i të birit, Eqrem Vlorës sërish në gjinë e kujtimeve, të shkruara më vonë në kohë është përmbledhtas si vijon: Syrja Vlora thirri parinë e Vlorës në shtëpinë e vet dhe ia shpjegoi situatën e pashpresë të ushtrisë osmane kundër ushtrive të Lidhjes Ballkanike dhe planet e saja të drejtuara edhe kundër shqiptarëve lidhur me ndarjen e pjesës evropiane të Perandorisë Osmane. Paria e pranishme, sidomos kundërshtarët e tij, nuk e besonin Syrja Vlorën. Në këtë bisedë u vendos vetëm se Eqrem Vlora të dërgohej tek “shtatë mbretërit”, d.m.th. tek Fuqitë e Mëdha, për të marrë vesh se çfarë ata mendonin mbi planin e Syrja Vlorës dhe se çfarë ata donin të ndërmerrnin në favor të Shqipërisë. Pas kësaj Eqrem Vlora u nis më 23 shtator 1912 për në Vjenë. Ndërkohë Syrja Vlora përpiqej me të gjitha mjetet të mblidhte një kuvend në Vlorë me përfaqësues nga të gjitha rrethet shqiptare, ku do të vendosej lidhur me qëndrimin dhe veprimtarinë e shqiptarëve gjatë ngjarjeve që priteshin.[3] Përveç Alfred Rappaport-it, drejtuesit të departamentit për Shqipërinë brenda Ministrisë së Jashtme austro-hungareze, nuk e besonte askush në Vjenë pikëpamjen e Eqrem Vlorës se Perandoria Osmane do të humbte luftën kundër Lidhjes Ballkanike.[4] Në qoftë se ndodhte vërtet shembja e pjesës evropiane të Perandorisë Osmane, atëherë, sipas mendimit të udhëheqjes austro-hungareze, shqiptarët duhej të mblidhnin sa më shpejt diku një përfaqësim popullor, i cili duhej të shpallte pavarësinë dhe neutralitetin e Shqipërisë. Edhe në rastin e fitores së Perandorisë Osmane Monarkia e Dyfishtë do të mbronte idenë e një autonomie për Shqipërinë, por në rastin e disfatës do të njihte dhe mbronte ekzistencën e një Shqipërie të lirë dhe të pavarur.[5]

Kurse versioni[6] i Syrja Vlorës është përmbledhtas si vijon: Syrja Vlora, i cili kishte dërguar të birin, Eqremin për biseda sondazhi në Vjenë, thirri parinë e Vlorës në shtëpinë e tij. Në fjalën e mbajtur para të mbledhurve, ai tërhoqi vëmendjen për faktin se ata duhej të mënjanonin armiqësitë personale dhe se do të ishte e nevojshme të formohej sa më shpejt një komitet për marrjen e masave për mbrojtjen e interesave kombëtarë dhe për sigurimin e ekzistencës së atdheut. Në vijim ai propozoi mbajtjen e një kuvendi në Vlorë. Propozimi i tij u pranua nga të gjithë dhe në bazë të tij më 27 shtator 1912 u përpilua një telegram drejtuar parisë së Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, në të cilin ndër të tjera evidentohej se Rumelia ishte në rrezik, dhe ndarja e saj mes mbretërive ballkanike mund të ishte realitet, prandaj qeveria osmane duhej të përkrahej lidhur me përgatitjet e saja ushtarake.

Midis këtyre dy versioneve ka disa dallime. Sipas Syrja Vlorës, i biri  Eqremi është nisur tashmë për në Vjenë para bisedës me parinë në shtëpinë e tij. Ndërsa Eqrem Vlora pohon se ai ka udhëtuar në Vjenë vetëm pas kësaj bisede, si rezultat i saj. Përsëri sipas Syrja Vlorës, kjo bisedë parie është zhvilluar më 27 shtator 1912, sepse në fund të kësaj u përpilua telegrami, që mban të njëjtën datë. Por sipas Eqrem Vlorës biseda me parinë në shtëpinë e të atit u zhvillua para datës 23 shtator 1912, kur ai gjoja u nis për në Vjenë. Ndërsa për Syrja Vlorën qëllimi i kësaj bisede qëndronte në marrjen e masave për vetëmbrojtjen kombëtare, për Eqrem Vlorën ai konsistonte në vendimmarrjen mbi qëndrimin e shqiptarëve gjatë ngjarjeve të ardhshme. Historiani hungarez Krisztián Csaplár–Degovics është i mendimit se Syrja Vlora që në mbledhjen e fundshtatorit 1912 në Vlorë ka parë si rrugë të zgjidhjes shpalljen e pavarësisë, neutralitetin si edhe fitimin e mbështetjes nga ana e një fuqie të madhe, konkretisht e Austro-Hungarisë.[7] Mirëpo në kujtimet e Syrja Vlorës nuk gjendet asnjë tregues për këtë. Siç duket, ajo mbledhje e parë ka pasur si qëllim vetëm marrjen e masave për vetëmbrojtjen e shqiptarëve dhe jo thirrjen e një kuvendi kombëtar për shpalljen e pavarësisë. Në të vërtetë nuk bëhet fjalë për gjëra të tilla as në njërin as në tjetrin version të përshkrimit të kësaj mbledhjeje të parë.

Megjithatë nuk duhet shmangur fakti se si i ati ashtu edhe i biri mund të kenë pasur qëllime të tilla në atë kohë. Vetë Syrja Vlora pohon se ai vetëm disa javë më vonë ka pyetur ministrin e jashtëm austro-hungarez Leopold Berchtold gjatë një bisede në Ballhausplatz, nëse Austro-Hungaria, në rast të disfatës së Perandorisë Osmane, do të përkrahte shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.[8] Edhe Eqrem Vlora shkruan në kujtimet e tija se disa gjëra në Shqipëri do të kishin marrë një zhvillim tjetër, në qoftë se ai dhe i ati do të kishin qenë të suksesshëm në kohën e duhur në thirrjen e një kuvendi përfaqësues kombëtar. Shpreh keqardhjen për se nuk kanë mundur të realizonin në qetësi atë çfarë Ismail Qemali duhej të arrinte më vonë në ngutjen dhe nën presionin e ngjarjeve.[9]

Rreth ngjarjeve vijuese ne kemi përsëri dy versione. Sipas Syrja Vlorës, ai ka zhvilluar biseda më 11 tetor 1912 në Vjenë me udhëheqjen politike dhe ushtarake mbi qëndrimin e Monarkisë Danubiane dhe masat, të cilat duheshin marrë nga shqiptarët.[10] Ai nuk mundi të bindte as ministrin e jashtëm Berchtold as shefin e shtabit të përgjithshëm Franz Conrad von Hötzendorf për fundin kërcënues të Perandorisë Osmane. Pasi i biri Eqremi u kthye më 26 tetor 1912 nga Vjena me lajmin e përkrahjes së sigurt të shqiptarëve nga ana e Austro-Hungarisë, Syrja Vlora shkoi në Shëngjin dhe prej atje në Shkodër, ku bisedoi me Esat Pashë Toptanin dhe Hasan Riza Pashën, komandantët e qytetit, si edhe me parinë e Shkodrës, por pa arritur ndonjë rezultat të rëndësishëm.[11] Në kujtimet e tija, ai nuk shkruan më asnjë fjalë mbi aktivitetet e mëtejshme në këtë periudhë, të cilat i kushtoheshin thirrjes së një kuvendi mbarëshqiptar.

Sipas të dhënave të Eqrem Vlorës, Syrja Vlora udhëtoi para kthimit të tij nga Vjena. Ai u nis nga Vlora për në Shëngjin e mandej për në Shkodër,  për t’ua mbushur mendjen komandantit osman Hasan Riza Pasha dhe zëvendëskomandantit shqiptar Esat Toptani që, në rastin e një disfate osmane, të ngrinin flamurin shqiptar dhe të shpallnin pavarësinë dhe neutralitetin e Shqipërisë.[12] Ndërmarrja dështoi për shkak të refuzimit të Esat Toptanit. Më 5 tetor 1912 Syrja Vlora mundi të dilte në momentin e fundit nga qyteti i Shkodrës, para se trupat malazeze do ta rrethonin plotësisht atë, dhe të shkonte në Shëngjin, ku një anije austro-hungareze e çoi në Kotorr. Pas disa ditëve ai arriti në Vjenë. Të dhëna të mëtejshme mbi përpjekjet e të atit lidhur me thirrjen e një kuvendi mbarëshqiptar mungojnë.

Sidoqoftë, Syrja Vlora u shkroi më 31 tetor 1912 anëtarëve më të rëndësishëm të familjes Toptani në Tiranë, për t’u bërë thirrje atyre të dërgojnë përfaqësues për kuvendin kombëtar në Vlorë.[13] Më 14 nëntor 1912, përsëri në Vjenë, ai u dërgoi Aqif Elbasanit dhe klerikëve myslimanë në Elbasan një letër, në të cilën ai u bëri atyre apel për bashkëpunim dhe thirrjen e një kuvendi kombëtar, pa përmendur vendin e planifikuar të mbledhjes.[14] Ndërsa Adalbert Gottfried Krause në disertacionin e tij pohon se Syrja Vlora, i zemëruar për shkak të vështirësive në Vlorë dhe dështimit të të birit në Vjenë, nuk u kthye në qytetin e tij të lindjes, por udhëtoi në Stamboll.[15]

Syrja Vlora në kujtimet e tija nuk përmend asgjë të këtillë. Ai tregon se më 26 nëntor 1912 kishte mbërritur në Durrës me një anije nga Shëngjini dhe do të kishte dashur të shkonte me kushëririn e tij Ismail Qemalin në rrugë tokësore për në Vlorë. Mirëpo ai nuk kishte mundur të vepronte  kështu pasi: “Kur isha duke dalë, pashë konsullin e Austrisë, hipur në një varkë, i cili po i afrohej varkës sonë … Zotëria e tij, duke thënë se nga Berati në Lushnjë ishte dërguar një kompani ushtarësh për të arrestuar Ismail Qemalin me shokë dhe nuk dihej nëse e kishin zënë ose jo, më hoqi vërejtjen se në rast se edhe unë dilja në Durrës, mund të pësoja të njëjtën gjë.” Lidhur me përpjekjet e tija që në fund rezultuan të kota, Syrja Vlora shkruan në kujtimet e tija se dëshironte të kishte nderin të vinte gurin e parë në themelin e pavarësisë, por, për shkak të pengesave të dala, nuk mund të përfundonte veprimtarinë me sukses, gjë që i kishte shkaktuar një plagë të hapur në zemër për gjithë jetën.[16]

Më 12 nëntor 1912 patriotët shqiptarë me anën e një lutjeje i kërkuan perandorit austro-hungarez Franz Joseph mbështetje për organizimin brenda Perandorisë Osmane të një njësie autonome administrative të përbërë nga katër vilajetet shqiptare (Kosova, Shkodra, Janina dhe Manastir). Në rastin e shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ata kërkonin mbështetje për krijimin e një shteti të pavarur neutral të shtrirë në këto katër vilajete sipas shembullit të Belgjigës ose Zvicrës. Nga sa më sipër kuptohet se për shqiptarët patriotë në atë kohë ideja e pavarësisë së plotë ishte e imagjinueshme vetëm si rrugëdalje e fundit pas një disfate katastrofike të shtetit osman. Ndërkohë më 19 nëntor 1912 në Himarë zbarkuan tri mijë trupa greke. Komandanti osman me origjinë shqiptare në Janinë, Esat Pashë Halasti, dërgoi në Himarë pesëqind rezervistë shqiptarë të Kosovës nën drejtimin e tre oficerëve osmanë dhe me anë të një letre iu lut Eqrem Vlorës të organizonte mbrojtjen e kësaj zone. Megjithëse pa formim ushtarak, Eqremi i ri, me një qëndrim shumë patriotik, në kushtet e dështimit të iniciativës së tij dhe të të atit, iu bind thirrjes dhe me disa qindra rezervistë shkoi në Himarë. Kështu në Vlorë nuk mbeti asnjë politikan i aftë që mund t’i bënte ballë Ismail Qemalit.

Gjatë  vitit 1912 Ismail Qemali kishte udhëtuar vazhdimisht nga Stambolli në kolonitë shqiptare në Ballkan (Cetinë, Bukuresht, Sofje).[17] Megjithëse ai nuk kishte ndikim të drejtpërdrejtë në terren në kryengritjen e udhëhequr nga Hasan Prishtina, ka të ngjarë që ai të kishte marrë pjesë në formulimin e dymbëdhjetë (më vonë katërmbëdhjetë) pikave të Hasan Prishtinës. Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike ai e la Stambollin bashkë me sekretarin e tij Luigj Gurakuqin, për të vizituar koloninë shqiptare më me ndikim në Ballkan në Bukuresht. Ismail Qemali u nis nga Stambolli i shoqëruar nga ministri i brendshëm osman. Prandaj është e mundur që ai fillimisht të ishte larguar nga kryeqyteti osman duke marrë me vete porosinë e Portës së Lartë për të krijuar sipas shembullit bullgar të vitit 1878, një principatë autonome shqiptare nën sovranitetin osman.[18] Në fillim të nëntorit 1912, Qemali dhe Gurakuqi morën pjesë në mbledhjen e shqiptarëve dhe arumunëve të Bukureshtit, e cila u mbajt në hotelin Continental. Pjesëmarrësit aty, pa përjashtuar edhe vetë Ismail Qemalin, qenë të paaftë të merrnin një vendim final, sepse u lëkundën midis autonomisë dhe pavarësisë. Pati vetëm unanimitet për parandalimin e pakusht të ndarjes së vendit dhe nevojën e thirrjes së një kuvendi kombëtar në Shqipëri, ku duhej të merrnin pjesë edhe delegatët e kolonive shqiptare. Vendimi përfundimtar, i cili mban datën 5 nëntor 1912, qe se do të hartohej një memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin pjesëmarrësit e konferencës do të mbronin një Shqipëri autonome brenda Perandorisë Osmane, dhe se do të formohej një komitet drejtues për administrimin e vendit.[19]

Të nesërmen, më 6 nëntor Ismail Qemali u takua me ministrin fuqiplotë austro-hungarez në Bukuresht, Karl Emil Prinz zu Fürstenberg. Që në këtë bisedë ai mund të kishte marrë vesh se shqiptarët do të kishin mbështetjen diplomatike të Vjenës. Ndoshta kjo bisedë ka shkaktuar ndryshimin e qëndrimit të tij, kështu që ai këtej e tutje, pa informuar Portën e Lartë, do të synonte pavarësinë e Shqipërisë dhe jo autonominë e saj. Ndërkohë, po në të njëjtën ditë, delegatët e kolonisë së Bukureshtit udhëtuan së bashku me Gurakuqin për në Trieste. Kurse Ismail Qemali shkoi përmes Budapestit në Vjenë, për t’u takuar me ministrin e jashtëm austro-hungarez. Ai pretendonte të luante rolin vendimtar në krijimin e fatit të Shqipërisë. Kështu ai që në Bukuresht i udhëzoi ithtarët e tij në Shqipëri të pengonin përpjekjet e kushëririt të tij Syrja Vlora dhe të fillonin fushatën e vet për thirrjen e një kuvendi kombëtar.

Biseda e Ismail Qemalit me ministrin e jashtëm Berchtold u zhvillua më 12 nëntor 1912 në Ballhausplatz. Ai e informoi ministrin dhe referentët e tij mbi vendimet e konferencës së Bukureshtit dhe planin për thirrjen e një kuvendi kombëtar. Mendimi i historiografisë shqiptare se Ismail Qemali kishte vendosur që para bisedimeve në Vjenë për shpalljen e pavarësisë, nuk mund të vërtetohet plotësisht me anë të dokumenteve arkivore vjeneze. Sipas shënimeve në ditarin e Berchtold-it, Ismail Qemali i është drejtuar me tri pyetje parimore: çfarë mendonte Vjena mbi organizimin e një Shqipërie autonome; çfarë mendonte ajo mbi thirrjen e një kuvendi kombëtar dhe mbi memorandumin drejtuar Fuqive të Mëdha me kërkesat shqiptare?[20] Vërtet ministri i jashtëm i garantoi Ismail Qemalit përkrahjen politike nga ana e Vjenës, por ai nuk iu përgjigj pyetjeve të hollësishme, sepse donte të priste deri pas përfundimit të luftës. Një qëndrim të prerë Berchtold-i shprehu vetëm ndaj çështjes së një porti serb në Adriatik, të cilin ai ishte i vendosur të parandalonte me çdo kusht. Arsyeja për gatishmërinë ngurruese të Berchtold-it për bisedime nuk qëndronte vetëm në përfundimin e pasigurt të luftës, por edhe në interesin e tij për një kuvend kombëtar të thirrur nga Syrja Vlora dhe në vlerësimin e tij disi të dyshimtë ndaj personit të Qemalit. Pas këtij takimi, pinjolli i Vlorajve e provoi fatin me të njëjtat pyetje tek ambasadat e Italisë dhe Britanisë së Madhe.

Në mes të nëntorit 1912 në Shqipëri filloi një kthesë në favor të pavarësisë. Simpatizantët e fundit të autonomisë kuptuan se një vilajet i bashkuar brenda perandorisë nuk ishte më i mundur. Në qytetet ende të papushtuara të Shqipërisë së Mesme si Elbasani, Tirana, Lushnja dhe Durrësi, u formuan komitete kombëtare, të cilat manifestonin gatishmëri për shpalljen e pavarësisë. Më 18 nëntor, Ismail Qemali dërgoi nga Triestja një telegram në Vlorë, në të cilin ai u kërkoi ithtarëve të tij thirrjen e një kuvendi të përgjithshëm kombëtar ose në Durrës ose në Vlorë. Më 19 nëntor ai i deklaroi planet e tija dhe pikëpamjet e delegatëve në gazetën “Il Piccolo” të Triestes. Të gjithë kishin vullnetin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për krijimin e një qeverie provizore nën drejtimin e Ismail Qemalit.

Në vijim, ai udhëtoi me një anije austro-hungareze nga Triestja për në Durrës, qytetportin e vetëm ende të papushtuar të Shqipërisë, ku ai mbërriti më 23 nëntor. Të nesërmen ai u nis për në Vlorë, ndërkohë që rrugës mori vesh se kundërshtari i tij më i madh politik, Syrja Vlora, kishte ikur në Stamboll dhe Eqrem Vlora po luftonte në Himarë. Më 26 dhe 27 nëntor pasuan shpallje profilaktike pavarësie në qytetet e Shqipërisë së Mesme si Durrësi, Tirana, Kavaja dhe Lushnja. Paria e këtyre qyteteve ishte informuar mbi planet e Ismail Qemalit dhe e njohu paraprakisht sovranitetin e qeverisë së ardhshme provizore. Më 27 nëntor Qemali arriti bashkë me refugjatët e Shqipërisë dhe Kosovës në Vlorë, qytetin e fundit ende të papushtuar. Konsulatat e Italisë dhe Austro-Hungarisë, të udhëzuara më parë nga Roma dhe Vjena, ia dëshmuan atij interesin e fuqive adriatike për një Shqipëri të pavarur.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 ka qenë me siguri një meritë personale e Ismail Qemal Vlorës, i cili dinte të shfrytëzonte me zgjuarsi çastin e volitshëm, ishte i gatshëm të rrezikonte, i njihte mirë planet e aleatëve ballkanikë, ishte i informuar më së miri mbi ecurinë e luftës, ishte koshient për pafuqinë e Perandorisë Osmane dhe i kishte të qarta parimet themelore të politikës së Fuqive të Mëdha. Me këtë shqiptarët kërkuan vetëqeverisjen dhe bashkimin e vendbanimeve shqiptare, gjë që ishte një bazë e fortë argumentimi për fuqitë adriatike, të cilat përkrahnin themelimin e një shteti të ri në bregdetin lindor të Adriatikut në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Csaplár–Degovics mbron mendimin që, pas dështimit të Syrja Vlorës, kishte pasur vetëm një politikan tjetër me cilësi të ngjashme, i cili mund të kishte guxuar të ndërmerrte një hap të tillë, pikërisht ish-deputetin e Kosovës, Hasan Prishtina, por që në atë kohë ishte i burgosur në Beograd.[21] Kështu, gati asnjë aktor shqiptar austrofil lojal nuk ka qenë i pranishëm në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.

Bibliografia

Csaplár–Degovics, Krisztián, “Der Erste Balkankrieg und die Albaner. Ein Beitrag zur Geschichte der Unabhängigkeitsproklamation Albaniens (28. November 1912)“, në Südost-Forschungen, vëll. 67, München: 2008, f. 168-201.

Galtung, Johan, “Cultural Violence”, në Journal of Peace Research, vëll. 27, nr. 3, Oslo: 1990, f. 291–305.

Gostentschnigg, Kurt, Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918, Wiesbaden: Springer VS, 2018. (828 f.).

Gostentschnigg, Kurt, „Die albanischen Parteigänger Österreich–Ungarns. Ein Versuch der Rekonstruktion des Brückenkopf–Feldes an der Peripherie des habsburgischen Zentrums“, në Shejzat, vëll. 1, nr. 1–2, Rom: 2016, f. 119–170.

Papilloud, Christian, Bourdieu lesen. Einführung in eine Soziologie des Unterschieds. Mit einem Nachwort von Loic Wacquant, Bielefeld: Transcript, 2003.

Vlora, Ekrem, Lebenserinnerungen I (1885–1912), München: Oldenbourg, 1968. Vlora, Syrja, Kujtime. Nga fundi i sundimit osman në luftën e Vlorës, Përgatitur për botim nga


[1] Lidhur me këtë kapitull të parë shih Kurt Gostentschnigg, Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918, Wiesbaden: Springer VS, 2018, f. 584–594.

[2] Ekrem Bey Vlora, Lebenserinnerungen I (1885–1912), München: Oldenbourg, 1968, f. 253–256.

[3] Po aty, f. 255.

[4] E. Vlora, “Lebenserinnerungen”, f. 257; Syrja Vlora, Kujtime. Nga fundi i sundimit osman në luftën e Vlorës, Përgatitur për botim nga Marenglen Verli dhe Ledia Dushku, Tirana: Iceberg, 2013, f. 281 v., shënim 172.

[5] E. Vlora, “Lebenserinnerungen”, f. 258.

[6] S. Vlora, “Kujtime …”, f. 65 v..

[7] Krisztián Csaplár–Degovics, “Der Erste Balkankrieg und die Albaner. Ein Beitrag zur Geschichte der Unabhängigkeitsproklamation Albaniens (28. November 1912)“, në Südost-Forschungen, vëll. 67, München: 2008, f. 180.

[8] S. Vlora, „Kujtime …“, f. 61.

[9] E. Vlora, „Lebenserinnerungen“, f. 258.

[10] S. Vlora, „Kujtime …“, f. 60–65.

[11] Po aty, f. 67–69.

[12] E. Vlora, „Lebenserinnerungen“, f. 258 v..

[13] Arkivi Qendror i Shtetit të Republikës së Shqipërisë (më tej: AQSH), fondi: Syrja Vlora. Korrespondenca, Dosja 27: Letra të Syrja Vlorës dërguar personave të ndryshëm. Letër e Syrja Vlorës, 31 tetor 1912, drejtuar Abdi, Fuad, Refik und Murad Toptanit.

[14] AQSH, F. Syrja Vlora. Korrespondenca, D. 27: Letra të Syrja Vlorës dërguar personave të ndryshëm. Letër e Syrja Vlorës, Vjenë, 14 nëntor 1912, drejtuar Aqif Pascha Elbasanit dhe klerit mysliman të Elbasanit.

[15] Adalbert Gottfried Krause, „Das Problem der albanischen Unabhängigkeit in den Jahren 1908–1914“, (i pabotuar, Departamenti i Historisë, Universiteti i Vjenës, 1970), f. 269.

[16] Po aty, f. 281–283, shën. 172.

[17] Lidhur me të dhënat vijuese shih K. Csaplár–Degovics, “Der Erste Balkankrieg …“, f. 185–195.

[18] Ledia Dushku në një bisedë me autorin më 1 dhjetor 2016 në Tiranë.

[19] Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj (28 nëntor 1912-22 janar 1914), Botim i Drejtorisë së përgjithshme të Arkivave Shtetërore të Republikës Popullore të Shqipërisë, Tiranë: Mihal Duri, 1963, f. 26.

[20] Haus-, Hof- und Staatsarchiv Wien (më tej: HHStA), Nachlass Berchtold, K 1, Bd. IV, 13.11.1912, f. 366 v..

[21] K. Csaplár–Degovics, “Der Erste Balkankrieg …“, f. 194.