A e dini që 70% e vitit 2025 shkoi! Me shënu javën e fundit të verës, Monday Marks e botuar nga podkasti Suzanne që emetohet edhe në T7, sjell numër rekord prej 19 rekomandimesh se çka me bo, ku me shku, çka me pa e me dëgju, ku me hangër e me diskutu!
Kah me ja nis? Plot ngjarje dhe festivale, shfaqje dhe koncerte! Vera pra veç sa s’na ka ikë, po java e fundit po vjen me ngjarje prej Mitrovice e deri në Pogradec, që s’i përthekon as Google Calendari.
Në Prishtinë, Summer Cult XII po shënon ditët e fundit të verës me teatër dhe biseda për kreativitetin në epokën e AI. Krejt tjetër vibe, por po aty në qytet, Kosovo Architecture Festival i sjell arkitektët me folë për qytetet, kujtesën e të ardhmen urbane (për ata që duan ma shumë plan urbanistik e ma pak hallakame).
Në Prizren, “Inhuman” e Jeton Nezirajt e Shpëtim Selmanit vjen me mozaik rrëfimesh për luftën e dehumanizimin, regji e hungarezit Zoltán Balázs. Ndërkohë, në Mitrovicë, projekti FILMITRO po e merr Parkun e Qytetit me një intervenim urban që s’osht veç skulpturë për Insta por fryt i fokus-grupeve e punës me komunitetin.
Nëse doni me kesh, Victor Pãtrãşcan po e teston publikun e Prishtinës me stand-up, ndërsa Baleti Kombëtar i Kosovës po e sjell “Deadline”, një balet që flet për gazetat në vitet ’20 (ironia ma e madhe kur në Kosovë s’ka mo gazeta të shtypuna). Po në Prishtinë, Kino Armata nis ciklin “Netët e Filmit Shqiptar” me “Përrallë nga e kaluara”, klasik për ata që ende kujtojnë pleqninë e Çajupit, po edhe për genZ që dojnë “retro content” para TikTok-ut. Galeria 17 veç e ka paralajmëru “In the Making V” me Arbër Shalën e Doruntina Kryeziun, studio e hapun ku publiku hyn si në laborator, e del me ekspozitë.
Në Tiranë ndërkohë, super-diva Ermonela Jaho rikthehet me “Kur ndjenjat marrin zë”, Tirana International Film Festival vjen me sloganin “think different, watch alike”, e në Galerinë e Artit Marco Pietracupa sjell “Tempo su tempo” – foto që shohin Tiranën si qytet shumë shtresash, jo veç si trafik e kulla.
E për fund, në Pogradec, Balkan Film & Food Festival e mbyll verën me filma, tryezë të përbashkët dhe ushqim ballkanik – se në fund të ditës, buka e vera janë diplomacia më e fortë që kemi. Këtu e gjeni listën e plotë: https://substack.com/home/post/p-173601960