Gjatë seancës së mbrojtjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, pyeti ish-zyrtarin e lartë amerikan James Rubin nëse ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i kishte sugjeruar ndonjëherë Thaçit se ai do të ishte përgjegjës penal për krimet e ndodhura në Kosovë pas hyrjes së trupave të KFOR-it.
Rubin u përgjigj prerazi.
“Absolutisht jo.”
Më tej, Mishetiq pyeti nëse Albright i kishte thënë Thaçit se ishte detyrë e tij të hetonte dhe përndiqte krimet që po ndodhnin pas luftës. Rubin tha se nuk i kujtohej një deklaratë e tillë në terma ligjorë, por sqaroi se Albright kishte pasur një qëndrim të qartë ndaj nevojës për drejtësi individuale.
“Nuk mbaj mend gjë të tillë, por do të thoja që kjo ishte një gjë që ajo donte ta komunikonte; tolerancën që ajo do të donte që Thaçi ta ndiqte, por jo në hollësinë ligjore me të cilën ju pyetët,” u shpreh Rubin.
Ai sqaroi më tej qëndrimin e Albright ndaj drejtësisë dhe hetimit të krimeve të luftës.
“Ajo ishte dikush që përnjëmend e kuptonte rëndësinë e hetimit të krimeve të luftës, asisoji që faji individual të përcaktohej, ndërsa faji kolektiv të zhbëhej. Kjo ishte poenta e Tribunalit Ndërkombëtar në çka ajo zinte besë.”
Rubin theksoi se Albright kishte bindjen se vazhdimi i ciklit të dhunës ndodhte kur krimet u atribuoheshin kolektivisht një populli apo grupi, në vend të individëve konkretë:
“Kur faji kolektiv lejohet të përgjithësohet përmes deklaratave, politikave ose procedurave ligjore, atëherë cikli i dhunës vazhdon. Dhe ajo e komunikoi këtë.”