Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të dielën se forcat e vendit të tij kishin avancuar në distriktet kufitare të rajonit verior Sumy, zonë ku trupat ruse me muaj janë munduar që të fitojnë terren.
Duke folur në video-adresimin tradicional të mbrëmjes, Zelensky gjithashtu e citoi komandantin e ushtrisë ukrainase të ketë thënë se forcat ruse kishin pësuar humbje të konsiderueshme në rajonet Donetsk dhe Kharkiv, përgjatë vijës 1000-kilometërshe të frontit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zelensky po fliste pas një jave të deklaratave ruse që i nënvizonin ato që Moska i ka përshkruar si fitore në rajonin qendror ukrainas, Dnipropetrovsk.
“Ka rezultate të mira në zonat kufitare të rajonit Sumy” – tha presidenti ukrainas, duke e cituar komandantin Oleksandr Syrskyi. “Njësitet tona po vazhdojnë që të avancojnë në drejtimin e kufirit shtetëror të Ukrainës” – shtoi ai.
Që nga koha e dëbimit të forcave ukrainase nga rajoni rus Kursk më herët këtë vit, trupat ruse janë munduar që të ndërtojnë atë që Kremlini e quan zonë neutrale në rajonin Sumy. Rusia rregullisht sulmon qytete më të mëdha, përfshirë Sumyn.
Zelensky tha se forcat ruse kanë pësuar humbje domethënëse afër Kupianskut, zonë në rajonin verilindor të Kharkivit, i cili me muaj ka qenë nën presionin e vazhdueshëm të forcave të armikut.
“Ne vazhdojmë të operojmë në drejtimin e Dobropillia-s” – shtoi presidenti ukrainas, duke iu referuar qytezës që ndodhet afër Pokrovskut, njëra nga pikat kyçe të përpjekjes së rusëve për të depërtuar nëpër rajonin e Donetskut. “Është me rëndësi që sulmet ruse po sprapsen nga djemtë tanë” – tha Zelensky.
Ndërkohë, guvernatori i rajonit Kherson, Oleksandr Prokudin, tha në rrjetin “Telegram” se dy njerëz kanë vdekur nga sulmet në pjesë të ndryshme të këtij rajoni.