Në fushat e vendit ka nisur korrja e lulediellit, kulturë bujqësore gjithnjë e më e rëndësishme jo vetëm për fermerët. Me diellin e verës që shoqëron punën, makineritë bujqësore kanë hyrë në arat e mbjella me këtë bimë karakteristike të farës së saj të vlefshme.
Procesi i korrjes kërkon kujdes të veçantë, në mënyrë që të sigurohet cilësia e lartë e produktit thotë fermeri Malësor Sejdiu.
“Temperaturat kur janë ekstreme normalisht ndikon te gruri, te misri, por te luledielli nuk shohim që ka ndikuar me të madhe. Diku – diku do parcela që janë mbjellë më vonë rendimenti është pak më i vogël, por këtu ku jemi u mbjellë më kohë, u mbjell me afat optimal dhe kushtet janë shumë të mira, presim një rendiment të mirë”, tha Sejdiu.
Luledielli, përveçse një burim i rëndësishëm i vajit ushqimor, është gjithashtu një kulturë që po fiton terren në tregjet vendore dhe rajonale. Ekspertët bujqësorë nënvizojnë se rritja e sipërfaqeve të mbjella me luledielli është një hap pozitiv drejt diversifikimit të prodhimit bujqësor në vend.
“Rasti i lulediellit këto dy-tre vitet e fundit ka filluar në sipërfaqe t’i quaj simbolike, në raport me periudhën paraprake 30 e sa vjeçare. Me këto kultura kemi pas një sipërfaqe rreth 30 mijë hektar. Lulediellin e kemi mbjellë në 5, 6, 7 mijë hektar varësisht nga viti në vit dhe krejt prodhimin e kemi dorëzuar ku ka qenë fabrika e rafinimit të vajit, krahas edhe kolzës, si dy kultura vajore dhe janë shumë të rëndësishme jo vetëm strategjike por edhe në cilësinë e qarkullimit bimor”, tha Imer Rusinovci profesor universitar.
Luledielli mbetet jo vetëm një simbol i verës, por edhe një kulturë që ndriçon perspektivën bujqësore të vendit tonë thonë fermerë dhe ekspertë të fushës së bujqësisë.