Nis protesta në Hagë, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së - Gazeta Express
string(62) "nis-protesta-ne-hage-kerkohet-drejtesi-per-ish-kreret-e-uck-se"

Lajme

Gazeta Express

14/09/2025 14:13

Nis protesta në Hagë, kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Lajme

Gazeta Express

14/09/2025 14:13

Në Hagë të Holandës të dielën shqiptarë nga diaspora, por edhe nga Kosova, po protestojnë duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta e 14 shtatorit u thirr nga mërgata shqiptare dhe është mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), për siç thanë organizatorët, padrejtësitë që po bëhen në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta në kryeqytetin holandez po mbahet në një park që gjendet afër selisë së Dhomave të Specializuara.

Folës në protestë janë kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, Fatmir Koci, bashkëorganizator i protestës dhe ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch.

Protesta në Hagë mbahet pasi më 7 gusht, mijëra persona protestuan në Prishtinë kundër Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë – që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në Speciale rasti kryesor po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Protesta në Hagë vjen një ditë para se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të nisë paraqitjen e provave të saj dhe dëshmitarëve.

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do të nisë dëshminë e tij para Speciales më 15 shtator, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Mbrojtja e të akuzuarve i tha Radios Evropa e Lirë se lista e atyre që do të dëshmojnë në anën e tyre, nisur nga 15 shtatori, është konfidenciale.

Në media, megjithatë, qarkulluan disa emra – në mesin e tyre: Wesley Clark, William Walker, Bernard Kouchner e të tjerë.

Të njëjtit u përmendën edhe në një listë që zbuloi mbrojtja në vitin 2022.

Mbrojtja e Thaçit ka deklaruar se 11 dëshmitarët që mëton të thërrasë të japin dëshminë e tyre në seanca të hapura. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit ka thënë se dy dëshmitarë do të japin dëshminë në gjykatore, ndërkaq dy të tjerë do të japin dëshminë me shkrim dhe kjo dëshmi veçse u është dorëzuar prokurorëve.

Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parasheh që deri më 14 nëntor ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të fundit të përmbyllë rastin e mbrojtjes të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Ky panel po ashtu pret që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të jetë e përgatitur që të paraqesë shkresat përfundimtare të gjykimit para 22 dhjetorit të këtij viti.

Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. /REL