UNMIK ka reaguar për mbylljen e zyrave të Fondit për Sigurime Shëndetësore dhe Fondit për Sigurime Invalidore e Pensionale në Mitrovicë, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.
UNMIK ka bërë thirrje që çështjet e pazgjidhura të adresohen në mënyrë konstruktive përmes dialogut.
“UNMIK është i shqetësuar për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia në veri të Kosovës, duke përfshirë Fondin e Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore dhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Republikës. Për më tepër, shumë në komunitetet jo-shumicë, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës, vazhdojnë të përballen me sfida në marrjen e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe lejeve të vlefshme të qëndrimit, të cilat mund të pengojnë aftësinë e tyre për të regjistruar automjetet e tyre dhe për të marrë targa. Veprimet në këto çështje, të kryera pa konsultim ose njoftim paraprak për komunitetet e prekura, ndikojnë negativisht në jetën e tyre të përditshme dhe të drejtat socioekonomike, pengojnë integrimin e tyre dhe kufizojnë qasjen në kujdesin shëndetësor dhe shërbime të tjera thelbësore. UNMIK-u përsërit thirrjet e tij që të gjitha çështjet e pazgjidhura të adresohen në mënyrë konstruktive përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagim.