Sekretari Rubio viziton Izraelin - Gazeta Express
string(32) "sekretari-rubio-viziton-izraelin"

Lajme

Gazeta Express

14/09/2025 10:42

Sekretari Rubio viziton Izraelin

Lajme

Gazeta Express

14/09/2025 10:42

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nisi vizitën e tij në Izrael më 14 shtator, pasi shprehu mbështetjen e fuqishme të administratës amerikane për Izraelin në luftën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Vizita e kryediplomatit amerikan zhvillohet pasi presidenti amerikan, Donald Trump, qortoi Izraelin për sulmin e paprecedent në Doha të Katarit më herët gjatë javës, kur Izraeli shënjestroi udhëheqësit e Hamasit.

Kjo ishte hera e parë që Izraeli kreu një sulm ndaj Katarit, aleatit të SHBA-së, sulm që ka rritur presionin ndaj përpjekjeve diplomatike për të arritur një armëpushim në Gazë.

Para se të nisej për në Lindjen e Mesme, Rubio u tha gazetarëve të shtunën se përderisa Trump “nuk është i lumtur” për sulmin, kjo “nuk do të ndryshojë natyrën e raporteve me izraelitët.

Por, ai shtoi se SHBA-ja dhe Izraeli “do të flasin lidhur me” ndikimin e sulmit ndaj përpjekjeve për armëpushim.

Të premten, Trump u takua me kryeministrin e Katarit, Sheik Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ndërkaq vizita e Rubios zhvillohet para se udhëheqësit arabë dhe myslimanë do të takohen të hënën në Doha për të shprehur solidaritet me shtetin e Gjirit Persik pas sulmit ajror izraelit.

Sulmi i Izraelit kishte në shënjestër udhëheqësit e Hamasit që po mblidheshin për të diskutuar një propozim të ri për armëpushim, të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka mbrojtur operacionin, duke thënë të shtunën se vrasja e zyrtarëve të lartë të Hamasit do të eliminonte “pengesën kryesore” për t’i dhënë fund luftës.

Në Jerusalem, Rubio së bashku me Netanyahun do të vizitojë Murin Perëndimor të dielën, sipas zyrës së kryeministrit izraelit.

Takimet e tij kryesore me zyrtarë, përfshirë Netanyahun, do të zhvillohen të hënën, përpara se kryediplomati amerikan të largohet nga Izraeli të martën.

Në ditët e fundit, Izraeli ka intensifikuar përpjekjet për të marrë nën kontroll Qytetin e Gazës, qendrën më të madhe urbane të territorit palestinez, duke u thënë banorëve të evakuohen dhe duke sulmuar ndërtesa shumëkatëshe që thotë se përdoren nga Hamasi.

Sipas Kombeve të Bashkuara, në Qytetin e Gazës jetojnë rreth 1 milion persona. Në këtë qytet, OKB-ja ka shpallur gjendjen e urisë.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi më 7 tetor 2023 sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 64.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë – shifra që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja. /REL/