Nata e sontme ka sjellur një nga ndeshjet më të zjarrta të Serie A, jo vetëm të këtij sezoni.
Juventusi e kishte përballë Interin në “Allianz Stadium”, me “Zonjën e Vjetër” që mori një fitore prej 4-3.
Një ndeshje që kishte gola, emocione dhe rikthime nga të dyja anët.
Fillimisht, epërsinë në ndeshje e morën vendasit, me anë të Lloyd Kellyt në minutën e 14-të.
Në minutën e 30-të, Hakan Çalhanoglu u kundërpërgjigj me një supergol. Megjithatë, vetëm tetë minuta më vonë, Juventusi e riktheu epërsinë me golin e shënuar nga Kenan Yildiz nga një distancë goxha e largët.
Pjesa e parë u mbyll kështu, teksa Interi u ringjall në pjesën e dytë.
Çalhanoglu shënoi përsëri për 2-2 me një tjetër gol të bukur. Në minutën e 76-të, në skenë doli Marcus Thuram që shënoi me kokë për 3-2 për Interin.
Thurami tjetër, i Juventusit, e barazoi rezultatin në 3-3, po ashtu me kokë, me shtatë minuta nga fundi i kohës së rregullt.
Kur gjithçka dukej se po mbyllej me barazim, në skenë doli Vasilije Adzic, 19-vjeçari nga Mali i Zi.
Adzic shënoi nga më larg se 30 metra, për t’ia dhuruar Juventusit fitoren e tretë këtë edicion, në tri xhirot e para. Malazezi i ri shënoi në minutën e 92-të.
Juventusi ka 9 pikë nga tri ndeshje, teksa Interi ka vetëm tri pikë ndaj këto tri xhirot hapëse./GazetaExpress/