Emërimet e Ramës për kabinetin e ri qeveritar, për disa ishin të papritura, për disa shokuese, kurse për ndërkombëtarët të “habitshme”. Dhe kur themi këtë të fundit, nuk bëhet fjalë për ministrat e rinj, apo ata të vjetër politikisht, por për atë të krijuar nga Inteligjenca Artificiale.
Në Asamblenë e PS të mbajtur të enjten, më 11 shtator, në Pallatin e Kongreseve, askush nuk e priste që kandidate për zgjedhjet e parakohshme të Tiranës do të caktohej Ogerta Manastirliu, kurse për herë të parë në histori në Ministrinë e Brendshme do të emërohej një grua, konkretisht Albana Koçiu. Kurse për Prokurimet Publike, një dikaster mjaft i rëndësishëm për kabinetin qeveritar, Rama nuk zgjodhi për ministre një figurë të shquar politike, por një entitet të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, Diellën.
Shqipëria u bë kështu vendi i parë, që sjell këtë risi unike në skenën qeveritare. Prandaj mediat huaja i kanë kushtuar jo pak vëmendje. Gjatë një interviste për BBC, kryeministri Edi Rama ndau më shumë detaje mbi rolin që Diella do të luajë në administratën shqiptare, veçanërisht në çështjet e prokurimit publik dhe përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
“Po punojmë bashkë me një ekip brilant që është edhe ndërkombëtar që të zbatojmë modelin e parë të prokurimeve AI që të heqim çdo ndikim dhe ta bëjmë këtë proces më efecient dhe transparent. Nga ana tjetër Diella është duke punuar për diçka shumë të rëndësishme për ne që është transferimi i ligjit europian në legjislacionin tonë. Për këtë proces vendet e tjera përdorën ushtri përkthyesish, ushtri drejtuesish dhe në fakt u deshën vite për Kroacinë që ishte e fundit që u bë anëtare e BE dhe ishte një shembull impresionues, u deshën 7 vite”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, përdorimi i teknologjisë së avancuar në qeverisje është pjesë e një vizioni më të gjerë për transformimin institucional të vendit.
“Nuk është për t’iu bashkuar Bashkimit Europian, por për t’u bërë një vend që ka institucione plotësisht funksionalë dhe me përdorimin e teknologjisë dhe AI vende si Shqipëria mund të bëjnë një transformim që praktikisht të kenë në duart e tyre gjëra që edhe vende e mëdha të zhvilluara kanë vështirësitë e tyre për t’i pasur për shkak të strukturave më tradicionale të punës, ndërkohë që Shqipëria po transformon veten nga varka që bota pa kur ne shkuam jashtë kur dolëm nga komunizmi, në një varkë të shpejtë që po i tregon botës një shembull”, u shpreh kryeministri.