Arsenal regjistroi fitoren e tretë radhazi në Premier League në “Emirates Stadium” – diçka që nuk kishte ndodhur që nga gushti i vitit 2024 – duke mposhtur Nottingham Forest me rezultat bindës 3:0.
Pas shkarkimit të Nuno Espírito Santo, drejtimin e Forest e mori Ange Postecoglou gjatë pushimit të Kombëtareve, por debutimi i tij ishte përballë një kundërshtari shumë të vështirë. Me vetëm tre fitore në 11 ndeshjet e fundit të Premier League, Forest nuk arriti të tregonte forcë, duke u ndëshkuar rëndë në Londër.
Skuadra mysafire e pati të vështirë të përshtatej me filozofinë e re të Postecoglout, dhe kjo u reflektua që në pjesën e parë.
Arsenal dominoi posedimin, por rastet e pastra munguan, derisa një moment magjik vendosi ndeshjen: Martín Zubimendi shënoi një gol spektakolar me volej – goli i tij i parë për klubin dhe i pari në karrierën e tij nga jashtë zonës.
Arsenal shpërthen në pjesën e dytë
Për “Topçinjtë” mjaftuan më pak se 60 sekonda nga nisja e pjesës së dytë për të dyfishuar avantazhin. Viktor Gyökeres, afrimi i madh i verës, shënoi nga afër pas krosimit të Eberechi Eze, duke treguar se ishte blerë për të dhënë pikërisht këtë lloj “shpërthimi” ofensiv.
Forest pati një rast të artë për të ngushtuar rezultatin, kur krosimi i Dan Ndoye u devijua nga Chris Wood dhe përfundoi drejt portës, por David Raya reagoi në mënyrë fantastike duke e dërguar topin në traversë. Pak më vonë, edhe Gyökeres goditi shtyllën nga një kënd i vështirë.
Nga ai moment, Forest humbi besimin se mund të kthehej në lojë, dhe edhe pse Postecoglou hodhi në fushë Ryan Yates dhe James McAtee, nuk arriti të krijonte presion. Në fund, Zubimendi vulosi rezultatin me një gol tjetër – këtë herë me kokë – duke e bërë edhe më të bukur fitoren e Arsenalit.
Statistika dhe histori përballjesh
Kjo ishte fitorja e tretë nga katër ndeshje të Arsenalit këtë sezon.
Forest pësoi humbjen e dytë radhazi me rezultat 3:0, pas disfatës së ngjashme para pushimit të kombëtareve.
Në Premier League, Forest ka fituar vetëm dy nga 16 ndeshjet ndaj Arsenalit, të dyja në “City Ground”.
Arsenal ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi ndaj Forest në të gjitha kompeticionet, me një golaverazh mbresëlënës 19:2.
Lojtarët kyç dhe mungesat
Arsenali e nisi ndeshjen pa Bukayo Sakan dhe William Saliban, ndërsa kapiteni Martin Ødegaard u detyrua të zëvendësohej për shkak dëmtimi. Te Forest mungonte Nicolás Domínguez, ndërsa Murillo u lëndua gjatë pjesës së parë.
Çfarë vjen më pas?
Arsenal jep një përgjigje perfekte pas humbjes ndaj Liverpool dhe vazhdon garën në majat e Premier League. Për Postecogloun dhe Nottingham Forest, puna do të jetë e vështirë – duhet të ndalet rënia për të mos e kthyer këtë seri negative në një krizë të vërtetë. /GazetaExpress/