Partia Demokratike kërkoi që të nisin hetimet mbi keqpërdorimin e fondeve publike dhe konfliktet e interesit, për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në qytetin e Durrësit.
Në një deklaratë për mediet zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli nënvizoi se fondet e alokuara nga institucionet e Bashkimit Evropian “kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve të lidhur me pushtetin”.
Sipas PD-së “nga një investigim i kryer prej nesh rezulton se në qendër të zbatimit të disa prej projekteve infrastrukturore ka qenë shoqëria Adriatik sh.p.k, në pronësi të familjes së ish-kreut të UKD, Spartak Kovaçi”.
“Disa nga projektet përkatëse përfshijnë: 10 milionë euro grant nga Komisioni Europian për ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza nga përroi i Agait (Shkëmbi i Kavajës) – Ura e Dajlanit- deri te impianti në Shënavlash, i realizuar nga kompania italiane Giovanni Putignano & S.r.l dhe firma shqiptare Adriatik sh.p.k.
“19.7 milionë euro për rehabilitimin e rrjetit në zonën Porto Romano–Keneta dhe sistemimin e ujërave të shiut në zonat urbane të qytetit të Durrësit, me kontratën nr. 70/3, datë 19.01.2022, ku zbatues ka qenë sërish Adriatik sh.p.k.
“400 mijë euro të tjera për sistemimin e ujërave të bardha në rrugën ‘Taulantia’, me kontratë të datës 24 nëntor 2022, me zbatues Adriatik sh.p.k”, theksoi Vangjeli.