Pas dështimit për të siguruar një largim nga Chelsea gjatë merkatos së verës, trajneri i Blues, Enzo Maresca, ka dhënë një përgjigje të prerë mbi të ardhmen e Raheem Sterling.
Chelsea ka qenë mjaft aktiv gjatë merkatos së verës, duke sjellë lojtarë të rinj si Joao Pedro, Jamie Gittens, Alejandro Garnacho, Jorrel Hato, Liam Delap, Estevao, Dario Essugo, Mamadou Sarr, Facundo Buonanotte dhe Kendry Paez.
Në të njëjtën kohë, klubi ka bërë largime të disa lojtarëve që nuk hynin në planet e trajnerit, duke përfshirë Noni Madueke, Christopher Nkunku, Joao Felix dhe Djordje Petrovic.
Megjithatë, Sterling, 30 vjeç, nuk arriti të sigurojë një largim nga Stamford Bridge, edhe pse kishte qenë i konsideruar i tepërt për skuadrën dhe ishte huazuar te rivalët londinezë të Arsenal sezonin e kaluar. Ai nuk arriti të bëjë përshtypje gjatë huazimit, duke shënuar vetëm një gol në 28 paraqitje për Gunners.
Fjalët e Maresca
Kur u pyet gjatë javës nëse Sterling dhe disa lojtarë të tjerë që nuk hynin në planet e trajnerit mund të riktheheshin në skuadër, Maresca u shpreh qartë:
“Ata janë lojtarë të Chelsea, por ende stërviten veç e veç. Nuk i kam parë që nga fillimi i sezonit. Stërviten në një fushë tjetër në një kohë tjetër.”
Kur u shty për një përgjigje të prerë “po” apo “jo”, trajneri u përgjigj vetëm: “Jo.”
Sipas raporteve të The Sun, përveç Sterling, edhe David Datro Fofana dhe Axel Disasi janë pjesë e asaj që mediat kanë quajtur “bomb squad” – lojtarë që janë larguar nga skuadra e parë, ushqehen veç e veç dhe përdorin tualete të ndara.
Fillimi i sezonit 25/26
Pavarësisht kësaj situate me Sterling dhe lojtarë të tjerë, Chelsea ka nisur sezonin mirë, duke arritur 7 pikë në tre ndeshje.
Blues barazuan me Crystal Palace në ndeshjen e parë, më pas fituan ndaj West Ham United dhe Fulham. Momentalisht janë dy pikë pas liderit Liverpool dhe do të rikthehen në aksionin e Premier League të shtunën në mbrëmje përballë Brentford në Gtech Community Stadium. /GazetaExpress/