Sot gjatë ditës, u bë e ditur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se këto të fundit kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën për shkak të shqetësimeve në lidhje me veprimet e qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.
Rreth kësaj ka reaguar njohësi i çështjeve politike Ilir Deda. Ky i fundit ka deklaruar ndër tjerash se suspendimi i dialogut strategjik është veç masa e parë ndëshkuese, dhe po ashtu se, tjerat janë të përgatitura dhe vendosen nëse Kosova vazhdon me e dëmtu vetën, shkruan Gazeta Express.
‘‘Prita që Presidentja e vendit i thërret partitë politike për diskutime serioze për dalje nga kjo gjendje – është më së paku që mund të bëjë për ruajtjen e siç thotë ajo “aleancën e shenjtë”’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Deda ka vlerësuar se politikës së vendit i duhet një prerje sa më e qartë.
Postimi:
Kosova e dalë jashtë binarëve e gjen veten në klub me vendet jashtë orbitës së Perëndimit. “Bar do hamë …” e dini vazhdimin.
Po më duket që suspendimi i dialogut strategjik është veç masa e parë ndëshkuese, tjerat janë të pregaditura dhe vendosen nëse Kosova vazhdon me e dëmtu veten.
Prita që Presidentja e vendit i thërret partitë politike për diskutime serioze për dalje nga kjo gjendje – është më së paku që mund të bëjë për ruajtjen e siç thotë ajo “aleancën e shenjtë”.
Por jo, natyrisht që nuk e bën sepse mandej duhet të pozicionohet qartë politikisht- kësaj radhe gjithsesi jo kundër gazetarëve.
Politikës së Kosovës i duhet një prerje sa më e qartë. E nëse populli do izolim, varfëri, urrejtje e pjesëmarrje në klub me Gjeorgjinë, Rusinë, Bjellorusinë e Republikën Serbe të Bosnje e Hercegovinës – urdhëroni e dërgonani në humnerë.