Partia Demokratike e Kosovës tha se e ka marrë me shqetësim të madh vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën, një proces i cili ishte menduar të forconte marrëdhëniet tona ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes.
Kjo parti tha se në mbledhjen e Kryesisë që ka mbajtur sot janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën.
Në përfundim të mbledhjes, PDK lëshon këtë deklaratë për media:
PDK: Pezullimi i dialogut strategjik nga SHBA për veprimet pamatura të Kurti, dëmi më i madh politik në 25 vite liri
Partia Demokratike e Kosovës e ka marrë me shqetësim të madh vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën, një proces i cili ishte menduar të forconte marrëdhëniet tona ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes.
Ky zhvillim i rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe Kryeministrit në largim, Albin Kurti. Sjellja e tij ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm strategjik, ShBA-në, vendin që ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Ky është dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik që i është shkaktuar Republikës së Kosovës në 25 vitet e lirisë së saj, duke cenuar drejtpërdrejt raportet me aleatin tonë kryesor dhe duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit tonë.
Për më shumë se dy dekada, marrëdhëniet e Kosovës me ShBA-në kanë qenë të pakontestueshme, të bazuara mbi vlera të përbashkëta të lirisë, paqes dhe demokracisë. Sot, për shkak të një qeverisjeje që ka zgjedhur konfliktin mbi bashkëpunimin dhe populizmin mbi përgjegjësinë, këto raporte po vendosen në rrezik.
Partia Demokratike e Kosovës rithekson se marrëdhënia me ShBA-të është interes jetik dhe kombëtar i Kosovës, i pakrahasueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ne mbetemi të përkushtuar për ta ruajtur, forcuar dhe zgjeruar këtë partneritet në çdo rrethanë.
Qytetarët e Kosovës e dinë se aty ku ka qenë PDK në qeverisje, marrëdhëniet me ShBA kanë qenë gjithmonë të konsoliduara dhe në rritje. Prandaj, ky dëm që i është shkaktuar Kosovës nga Qeveria në largim duhet të shërbejë si thirrje alarmi për të gjithë: partneriteti me Shtetet e Bashkuara nuk është një çështje e zakonshme politike, por themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë.
Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet që ky partneritet të mbetet i pathyeshëm dhe gjithmonë në funksion të interesave të popullit të Kosovës.
Kosova është e popullit të saj, i cili ka ndërtuar lirinë e vet me mbështetjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përtej gabimeve të një qeverie të përkohshme, besimi i qytetarëve të Kosovës në miqësinë dhe partneritetin me ShBA-të ka qenë dhe do të mbetet i pathyeshëm, sepse kjo lidhje është më e fortë se çdo interes i përkohshëm politik dhe është rrënjosur thellë në historinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët.
Pas sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe tani vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik, është bërë krejtësisht e qartë se vendi po rrëshqet në një drejtim të rrezikshëm për shkak të një qeverie të papërgjegjshme. Kjo është koha e fundit që të gjitha forcat politike properëndimore, me vetëdije shtetformuese, të bashkohen dhe t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme, e cila e rikthen vendin në rrugëtimin e sigurt të integrimit euroatlantik – aspiratë e përhershme e popullit të Kosovës.