SHBA goditi Kosovën për shkak të veprimeve të Kurtit që rritën tensionet dhe jostabilitetin – arsyet pse u ndëshkuam - Gazeta Express
string(113) "shba-godet-kosoven-per-shkak-te-veprimeve-te-kurtit-qe-rriten-tensionet-dhe-jostabilitetin-arsyet-pse-u-ndeshkuam"

Lajme

Gazeta Express

12/09/2025 15:18

SHBA goditi Kosovën për shkak të veprimeve të Kurtit që rritën tensionet dhe jostabilitetin – arsyet pse u ndëshkuam

Lajme

Gazeta Express

12/09/2025 15:18

Veprimet dhe deklarimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kanë detyruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të suspendojnë Dialogun Strategjik të planifikuar me Kosovën, meqë konsiderojnë se lideri i LVV-së me qasjen e tij ka rritur tensionet dhe ka cenuar stabilitetin, shkruan Gazeta Express.

Paralajmërimin se do të ketë një vendim të SHBA-së, e ka dhënë qysh sot në mëngjes e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, Annu Pratipati, në një përgjigje për “KOHA”-n.

Por çfarë ka bërë Kurti këtyre kohëve fundit e çfarë ka deklaruar, që mund të ketë çuar SHBA-në drejt marrjes së një vendimi kaq të rëndë e drastik kundër aleatit të vogël, Kosovës.

Fillimisht, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë provuar që të ndalojnë certifikimin e partisë “Lista Serbe” për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të tetorit. Këto përpjekje ishin bërë përkundër faktit se ishin dhënë paralajmërime nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Ambasada amerikane kishte thënë se është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të përfshihen në procesin zgjedhor.

“E Ngarkuara me Punë Prattipati e bëri të qartë qëndrimin e SHBA-së për certifikimin e zgjedhjeve pas takimit të saj me Kryeministrin në detyrë Kurti dje: të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që serbët e Kosovës të përfshihen në këtë proces”, kishin deklaruar nga Ambasada Amerikane.

Pas një beteje institucionale, Lista Serbe ka arritur të certifikohej dhe do të marrë pjesë në zgjedhje lokale.

Pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje që drejton Kurti, betejën kundër Listës Serbe e kishte zhvendosur në Kuvendin e Kosovës, duke tentuar që ta lënë këtë parti pa nënkryetar në Kuvendin e Kosovës, ndonëse është partia me më shumë deputetë nga radhët e komunitetit serb. Ndonëse s’është votuar nënkryetari i Listës Serbe, kreu i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e ka konsideruar si të konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe nga Lëvizja Vetëvendosje deklaronin se duhet të procedohet tutje me krijimin e Qeverisë së re.

Në mes të seancës së Kuvendit që Dimal Basha e ka cilësuar si të konstituuar dhe mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së ku do të nominohej Kurti si kandidat për kryeministër, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim duke pezulluar punën e Kuvendit të Kosovës deri me datën 30 shtator duke ndaluar edhe çfarëdo përpjekje që çon drejt krijimit të institucioneve të reja dhe Qeverisë së re.

Kjo s’kishte bërë që mbledhja e KP-së së Vetëvendosjes të mos mbahej. Në atë mbledhje, kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe numri dy Glauk Konjufca, s’kishin lënë gjë pa thënë për Gjykatën Kushtetuese dhe vendimin e tyre për pezullimin e punimeve të Kuvendit të Kosovës.

 Kurti në këtë mbledhje e kishte cilësuar Gjykatën Kushtetuese s’i të kapur nga ish-partitë opozitare dhe sipas tij, gjyqtarët po ua mbajnë anën partive të tjera dhe Listës Serbe meqë janë emëruar në atë kohë.

Ndërkohë në këtë mbledhje, Glauk Konjufca, kishte thënë se Kushtetuesja i ka vetëm dy rrugë, ose t’i hapë rrugë Kuvendit të vazhdojë me punë, ta çojë Kosovën në zgjedhje të reja, ose sipas tij skenari i tretë do të ishte “tradhti shtetërore”.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë shprehur bindjen e tyre se Kuvendi është konstituuar dhe se mund të vazhdohet puna edhe përkundër faktit se s’është zgjedhur një prej nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës që i takon komunitetit serb, përkatësisht Listës Serbe.

Nënkreytarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, përkundër thirrjeve të zyrave diplomatike të shteteve aleate që secili kompromis të bazohet mbi natyrën multi-etnike të Kosovës, kishte shkuar aq larg sa që kishte thënë se Kosova është shtet unitar dhe jo multietnik.

“Së pari dua të theksoj se shteti ynë është unitar dhe jo multietnik. Ky model është rregullatori i Republikës sonë demokratike. Në shtetin tonë të pavarur në vitin 2008, asnjë grup minoritar nuk e ka të drejtën e vetos mbi Republikën tonë, as komuniteti serb apo komunitetet tjera”- kishte thënë Haxhiu në konferencë për media, teksa tregoi se kanë dërguar komentet në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me kërkesën e Listës Serbe.

Ambasada e huaja përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë përsëritur se Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që interpreton Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati, kishte pasur të enjten një takim me presidenten e Kosovës, nga ku ishte konstatuar se është shumë e rëndësishme që të respektohet masa 30 ditore e Gjykatës Kushtetuese dhe pritja e aktgjykimit final./GazetaExpress/