Në hapësirën e “Barabar Center”, në katin e katërt të Grand Hotelit në Prishtinë, para pak ditësh u hap ekspozita “Radical Togetherness”, një iniciativë e kolektivit “Lomosapiens” që vë në pah fuqinë e fotografisë si mjet shoqëror, kulturor dhe artistik. Ekspozita është pjesë e projektit “Barabar Connect”, të realizuar nga organizatat Integra dhe CASA, dhe e mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë.
Nga Donjeta Abazi
Një udhëtim kolektiv përmes fotografisë
Kjo ekspozitë nuk është thjesht një shfaqje e imazheve, ajo është një proces i përbashkët, një udhëtim ku të rinjtë nga Kosova përdorën kamera analoge dhe teknika të lomografisë për të eksploruar kujtesën, hapësirat publike, kulturën dhe sfidat sociale.
“Radical togetherness” është një ekspozitë e fuqishme fotografike, që paraqet punën e artistëve të rinj nga prejardhje të ndryshme në Kosovë, të cilët kanë eksploruar përdorimin e artit digjital dhe fotografisë si mjete për ndryshim shoqëror.
Kjo ekspozitë është rezultat i një eksplorimi të guximshëm dhe bashkëpunues, ku të rinjtë përdorën lomografinë jo vetëm si praktikë artistike, por edhe si mjet rezistence, kujtese dhe pranie radikale.
Kjo ekspozitë nuk ka të bëjë vetëm me imazhe. Ka të bëjë me praninë në të kaluarën dhe të tashmen. Ajo ju fton të ecni me Lomosapiens – të ndieni rrahjet e pyetjeve të tyre, zhurmën e mjediseve të tyre, dritën që rrjedh nëpër çarjet e tregimeve të tyre. Është një thirrje për të banuar në të tashmen duke dëgjuar jehonat e asaj që ka qenë.
Temat që udhëheqin ekspozitën
Fotografitë janë të organizuara në gjashtë seksione tematike, që i japin ekspozitës një narrativë të shumëfishtë:
“The Ecology of Care” – kujdesi për natyrën dhe mjedisin, një reflektim mbi marrëdhënien e njeriut me ambientin. Në këtë sesion, thjeshtë e shohim atë që fatkeqësisht na janë mësuar sytë ta shohim çdo ditë, në vendin tonë. Kurrgjë nuk është e re, sado e dhimbshme që duket njerëzit janë imun ndaj pamjeve të tilla. Prandaj kur shohim këto fotografi dhe instinktivisht nuk ngrem alarm, duhet patjetër ta shtrojmë një pyetje për veten dhe të tjerët; a është gjendja aq e pashpresë kur nuk habitemi më nga e keqja?
“Economy of Nationalism”– shfaqjet e identitetit dhe nacionalizmit në hapësira publike. Detajet që nuk u kushtojmë rëndësi për çdo ditë, janë ato që kanë më së shumti rëndësi dhe janë pikërisht këto detaje që e ndërtojnë në shumë forma një shoqëri. Kioskat që i shohim në fotografi, qofshin ato që shesin materiale nacionaliste shqiptare, qofshin ato me materiale serbe, flasin rrjedhshëm për historinë e papërfunduar, një histori që denjon të harrohet.
“Gentrification, Depopulation” – transformimi i qyteteve, braktisja e fshatrave dhe pasojat sociale të migrimit. Viteve të fundit ne jemi bërë imun edhe ndaj këtyre pamjeve, shtëpitë e pabanuara (të braktisura), në këto vitet e fundit janë një hallk e pothuajse çdo fshati të Kosovës. Pamje të tilla, të shtëpive, ngrehina, të cilave u kanë mbetur vetëm muret e jashtme si fortifikata për të refuzuar harrimin, janë pamje që na e zhvendosin mendjen nga gjerat e përditshme tek problemet madhore. Po, këto janë pamje që në cilatdo rrethana dinë të ngrehin rrugë të vështira për t’u kaluar, rrugë mes nostalgjisë dhe realitetit.
“Memoriality and Materiality of War” – monumentet, kujtesa e luftës dhe materializimi i saj në hapësira konkrete. Ajo që i ka mbijetuar luftës së fundit në Kosovë, na është prezentë edhe sot, në forma e objekte të ndryshme. Ka nga këto objekte që u shtuan edhe më pas, përfshirë statujën e Bill Clinton në Dardani. Ky miks i monumenteve dhe kujtesës kolektive, krijon një atmosferë të pathyeshme në vend, e cila zakonisht merr hov dhe të cilës i kthehet vëmendje më e madhe në data të caktuara.
“Materiality of Culture and Diversity” – trashëgimia kulturore dhe pluraliteti identitar që e bën Kosovën të veçantë.
Nga ky sesion, janë nxjerr objekte që shënjojnë jo veç historinë dhe kujtesën por i qëndrojnë besnik edhe besimeve në Kosovë. Objektet e këtij kapitulli me fotografi kanë qenë për vite me radhë tema diskutimi, dikush është pro e dikush kundër disa prej tyre e megjithatë ato vazhdojnë të qëndrojnë të ngritura në vende të caktuara të vendit tonë, duke i mbijetuar kohës dhe duke u plakur në pritje të mospajtimeve tjera, të reja, që nuk vjetrohen.
“Disembodied Thoughts” – imazhe më abstrakte, eksperimentale, që i japin ekspozitës një frymë meditimi vizual.
Nga ky sesion, pamjet janë më të lezetshme, dhe disi më artistike. Krejt ideja e krijimit të tyre, disi i takon një kolazhi fotografish që thellë thellë diku i përkasin një kohe të largët e megjithatë nuk janë të tilla. Edhe në tekstin shoqërues përshkruhet si një sesion ku autoret ftojnë vizitoret ta plotësojnë pamjet sipas reflektimeve të tyre.
…
Një element që e bën ekspozitën të veçantë është “dhoma me dritë të kuqe”, ku janë ekspozuar rreth 200 fotografi të vogla dhe 40 shirita filmash 35mm, të varura në tela, shoqëruar nga tingujt eksperimentalë të Ryoji Ikeda. Ky ambient sjell një atmosferë të ngjashme me dhomat e errëta të laboratorëve fotografikë, por njëkohësisht krijon një përjetim emocional dhe kolektiv.
Fotografitë në dritë të kuqe (shiritat e filmit)
Këto fotografi përfaqësojnë momentin më intim të ekspozitës: përballjen e shikuesit me procesin e krijimit. Film negativë dhe fotografi të varura në tel, në një dhomë të ndriçuar vetëm me dritë të kuqe, evokojnë kujtimin e laboratorëve analogë. Këtu nuk shfaqet vetëm rezultati final i artit, por edhe procesi i tij, si dëshmi e një pune kolektive, e një përkushtimi që shkon përtej konsumimit të imazhit.
Kjo qasje e bën publikun pjesëmarrës, në këtë rast vizitori bëhet sikur është brenda laboratorit, duke parë jo vetëm imazhe, por edhe gjurmët e tyre materiale. Është një gjest që thekson se fotografia nuk është vetëm pamje, por kujtesë e ngulitur në letër e film.
“Radical Togetherness” është më shumë se një ekspozitë fotografike, është një platformë reflektimi mbi kujtesën, hapësirat, dhe mënyrën se si të rinjtë shohin shoqërinë e tyre. Ajo i kombinon kujtimet e së kaluarës me pyetjet për të ardhmen, duke përdorur mediumin analog si simbol të ngadalësimit dhe të fokusit në detaj.
Në fund, ajo fton vizitorët të mendojnë jo vetëm për imazhet, por edhe për bashkëjetesën, kujdesin dhe diversitetin, tri shtylla pa të cilat nuk mund të ketë “Radical Togetherness”.
/Gazeta Express