John Ernst Steinbeck (1902 –1968), shkrimtar amerikan. Më 1962 ka fituar çmimin Nobel për Letërsi. Ditari që sjellim këtu është ditari i punës që ka mbajtur gjatë kohës sa po shkruante romanin ‘The Grapes of Wrath’ (Vilet e zemërimit), fitues i Pulitzerit më 1939 për romanin
SHËNIM: #1
SHKURT [7?] 1938—[E HËNË]
Duket të jetë e domosdoshme të hedh gjërat në letër. S’e ndal dot. Është shkurti dhe po bie shi me rrëmbim. Drama Nj dhe M (Njerëz dhe minj) u dha dhe pati sukses. Dhe me suksesin e saj, e di fare mirë se s’do të ketë kurrfarë lehtësimi për mua, kurrfarë kënaqësie. Njerëzit që i dua kanë ndryshuar. Me mendjen veç te paratë, si t’i marrin ato. Po edhe nëse s’duan asgjë, prapë i kanë sytë tek unë dhe nuk sillen natyrshëm më. Gene1 vdiq para dy javësh; fare thjesht mund të kisha qenë unë dhe do të doja aq shumë që të isha. Jam i lodhur së jetuari plotësisht i lodhur. Jam i lodhur nga lufta kundër të gjitha forcave që ky sukses i mjerë m’i ka sjellë. Nuk e di nëse mund të shkruaj një libër të hairit tash. Kjo është frika më e madhe që kam. Jam duke punuar për këtë, por nuk mund të flas për këtë. Nganjëherë është e helmuar në mua. Ju fleta – dhjetë prej jush – jeni kupë që rrjedh – ju jeni lecka që thith të vjellat. Ndoshta mund ta marr këto frika, t’ju neverit dhe pastaj t’jua vë flakën. Kësodore ndoshta s’do të më përndjekin më. Sidoqoftë, duhet të shtirem se kjo është ajo që duhet të bëj. Është Lorentzi që duhet të jetë këtu dhe këtu janë njerëzit nga Visalia dhe Nipamo.
Përnjëmend nuk e çaj kokën për filmin. Njëmend jo – por ata njerëzit që po vuajnë urie – çfarë mund të bëhet për ta? Dhe njerëzit me të gjitha llojet e melhemeve. A do t’ia huazosh emrin tënd këtij dhe atij? Çka më intereson mua për emrin tim? Është i ciflosur dhe krejt i paformë tashmë. Nuk ka asnjë domethënie dhe unë vetë s’kam asnjë të tillë.
Kam parë fatin tënd.
Nuk kam fat.
Dërgomi njëqind dollarë.
Fat! Ai mendon se është fat. Është i varfër dhe mendon se unë jam i pasur. Dhe ka parë fatin tim. Në pështjellimin e kot ai ka parë fatin tim. Ka parë shkatërrimin tim, vetëm se ai s’e kupton këtë dot. Grekët duket të kenë njohur këtë marrëdhënie të errët mes fatit dhe shkatërrimit. Është shumë e vështirë të njohësh çkado qoftë. Aq e pamundshme t’i besosh vetes. Madje edhe të dish se çfarë ka aty për të besuar. Vullneti im është i ulët. Mund ta ndërtoj vullnetin tim prapë. Dhe mund ta bëj këtë ashtu siç e kam bërë më parë. Koha po ikën. Mendimet po ia mbathin.
SHËNIM #2
[31 MAJ 1938—E MARTË]
Ky është ditari i një libri dhe do të jetë interesant të shoh si do të dalë. Jam munduar të mbaj ditarë edhe më herët, por nuk ia dilja dot për shkak të nevojës për të qenë i ndershëm. Në çështje ku nuk ka të vërtetë të përcaktuar, unë gravitoj në anën e kundërt. Nganjëherë, kur ka një të vërtetë të përcaktuar, revoltohem nga mburravecëria e saj dhe e bëj të njëjtën gjë edhe unë vetë. Sidoqoftë, në këtë do të mundohem thjesht të mbaj një shënim mbi ditët e punës, të arriturës në secilën ditë dhe suksesit (për aq sa mund ta njoh) të ditës. Tash për tash puna po më shkon mbarë.
Është pothuajse 1 qershori2. Kjo do të thotë se i kam shtatë muaj të shkruaj këtë libër dhe do të doja t’u përmbahesha atyre, mirëpo ma ha mendja se do ta mbaroj për pesë muaj. Në të vërtetë kurrë nuk më është dashur kohë e gjatë për të shkruar. Megjithatë dua që këtë ta bëj me nge. Kjo është një arsye për ditarin.
SHËNIM #3
1 QERSHOR 1938—E MËRKURË
Iu përvola punës në orën 10:30. Minimumi dy faqe. Duke3 më priste sot, çka nuk ma lehtësoi fare. Episodi me breshkujëset më la të kënaqur në disa mënyra. Projekti i sotëm – ecja e Joadit deri poshtë në rrugë dhe takimi me priftin [në botim, seksioni hapës i kapitullit të 4-të]. Sonte drekë te Paulët me Rayët5. Mbaroi dita. I përfundova të dy faqet. Shkoj mendjen se dolën goxha mirë. Casy, predikuesi, duhet të zhvillohet fuqishëm si mendimtar, karakter i përmbledhur mirë. Duhet të shfaqë menjëherë zhvillimin e një mendjeje rrëmuese dhe zhvillimin e një prijësi. Duke s’erdhi ende. Nesër duhet të fillojë marrëdhënie mes atyre burrave [në botim – Tom Joadi dhe Jim Casy].
SHËNIM #4
2 QERSHOR [1938]—10:30—E ENJTE
Vazhdon vrulli. Sot argumenti kundër mëkatit dhe çfarë do të thotë të humbasësh atë – çështje për shpirtin e vërtetë [në botim – seksioni i mesëm i kapitullit të 4-të]. Duhet të jetë një seksion shumë i qartë. Duke nuk erdhi. Me gjasë sot. Darka te Louisët goxha interesant. Ai i lexoi dy seksione dhe kanë një ton bukur të mirë. Bashkëbisedimet, një arsyetim interesant. E mbylla [në botim — Steinbeck’s Airedale terrier] në dhomën time të gjumit mbrëmë.
Ishte e mirë. Koha është e mrekullueshme – nxehtë, por jo tepër. Letër nga Paul Jordan Smithi6, i cili dëshiron të vijë në fund të muajit. Njëqind ditë shkrim do të mjaftojnë për këtë libër, mendoj. Ky është muaji i katërt. Do të thotë se duhet ta kem draftin e parë në tetor dhe kjo më lë bukur kohë të qetë për muajimn e fundit. Duhet të lë hapësirë çdo ditë për komente të mëtejme. Sekuenca e breshkujëses qëndron [në botim – kapitulli i 3-të].
SHËNIM #5
3 QERSHOR [1938]—[E PREMTE]
Duke erdhi dje. U largua sot në mëngjes. Sue dhe Bobi ia behën në mëngjes. M’u desh t’i përzë. Thjesht nuk mund kem njerëz nëpër këmbë ditëve të punës. Carola po i kalon ditët në gadishull [në botim – Monterey].
Zilja e telefoni binte tmerrshëm. Sugjerova Long Valley7 si titull për pjesët shkurtra. Sot isha i irrituar. Dikush dëshiron të vijë të më takojë të hënën. Punë që nuk bëhet. Thjesht dua të ulem. Ditë të pafrytshme. Kam një ndjesi plogështie që më bën nervoz. Do të ulem të punoj dhe të harroj të gjitha hallet. Luaj mendsh nëse nuk mbrohem nga të gjitha gjërat e jashtme. Sonte darkë te Tolertonsët8. Më pëlqejnë shumë. Duhet të bëj një shënim mbi progresin e punës në fund të ditës së sotme. Dua ta ëoj deri në fund orarin tim, po munda. Impulset e kryejnë pjesën tjetër. Më merr era me vete, etj. Por sot duhet të vazhdoj për hir të disiplinës. Mirë pra, orari im mbaroi, por mendoj se do të mundohem ta përfundoj kapitullin nesër. [në botim – kapitulli i 4-të]. Të jetë edhe një fqe më shumë. Lionel Smithi erdhi tek unë. Bob C9., dhe Margery Bailey do të vijnë nesër mbrëma. I lumtur që ia dola. E urrej të thyej disiplinën.
Shënim #6
4 qershor [1938] – 2:40- E shtunë
Sot do të bëj ca punë të vogla – me gjasë një faqe për ta mbaruar kapitullin e Casyt dhe Joadit. Nëse ngec, nuk ka gjë. Por derisa kapitulli i ardhshëm flet për ardhjen e traktorëve dhe duhet të ketë një harmoni simfonike dhe, për më tepër, mund të mos jetë më shumë se katër ose pesë faqe i gjatë, do të ishte po ashtu mirë të kufizoj ditët e punës për atë kapitull. Prandaj gjithë kjo orvatje. Mbarova Kapitullin II [në botim – kapitulli i 4-të]. Tash mund të dëgjojmë muzikë. Por do të vijë e hëna dhe
SHËNIM #7
6 QERSHOR [1938]—11:30—[E HËNË]
Kam njëmend vetëm një faqe për të shkruar që t’i përmbahem afatit, pot dua ta kompletoj këtë kapitull të shkurtër në një ditë të vetme, kështu që do të punoj derisa të kryhet. Doja që dëgjoja së pari pak muzikë, por enëlarësja është aktivizuar dhe do ta kem goxha pisk punën. Do të doja ta kryeja sonte, por duhet të shkoj te dentisti dhe nofullat e mia do ta pësojnë keq. I gjithë sistemi im nervor është rrahur paq. Nuk e di pse. Shpresoj të mos jem rrugës për në një thyerje nervore. Mungesa e vetmisë po ma bën këtë, ma ha mendja. Por nuk e di. Jam shumë i lumtur në këtë punë, këtë e di mirë. Deri këtu më ka kënaqur. Por do të doja të kisha pak muzikë. Njëmend kam nevojë për muzikë. Shumë gjëra po ndodhin. Mund të ndërpritet dhe kjo do të ishte më keq se sa të mos luaja fare. Mirë – t’i përvishem punës tash dhe nëse nuk shkon mirë, do të pres derisa të ndalet enëlarësja, që të vazhdoj pastaj. Po gjithsesi përpiqu tash. Tash dy faqet janë përfunduar dhe mendoj se janë bërë shumë mirë. Por kam edh enjë ditë pune më shumë për ndër-kapitullin e 3-të [në botim – kapitulli i 5-të]. Duhet të jap kumbimin e traktorëve dhe pluhurin e tyre. Do të më duhet muzika më parë dhe takimi do të jetë…
SHËNIM #9
8 QERSHOR [1938]—10:45 [E MËRKURË]
Ky është ditari më i gjatë që kam mbajtur ndonjëherë. Jo një ditar, natyrisht, por një orvatje të planifikuar vërtet orët dhe ditët e punës së një romani. Nëse një ditë kapërcehet, do të shfaqet dukshëm në këtë regjistrim dhe do të ketë ca arsyetime për atë rrëshqitje. Dje punova me përgjithësimet dhe sot po kthehem tek specifikimet. Kuptova se nuk jam krejt i kënaqur me numërimin e këtyre kapitujve. Mund të jetë se thjesht do të numërohen me numra të mëdhenj për të përgjithshmit dhe me të vegjël për të veçantit. Arsyeja është se dua që lexuesi të jetë në gjendje t’i mbajë ata ndarazi në mendjen e tij. Sot Joadi dhe Casy erdhën në shtëpi dhe e gjetën shkret. E takuan Muley Gravesin dhe ai iu tregoi ku janë prindërit e Joadit. Fjetën në shtëpinë e shkretë të Muleyt. Këtu hyjnë prapaskenat për zhvendosjet. Kjo ndiqet nga përgjithësimet [në botim – kapitulli 5-të], qerret e vjetra, pajisjet, teknika lëvizëse, pastaj familja Joad hyn dhe libri nis të lëvizë përnjëmend. Mirë pra, këtë e kam bërë, por shumë pak në këtë kapitull. Mendoj se ndoshta dy ose tri ditë më shumë në këtë kapitull [në botim – kapitulli i 6-të], ma merr mendja. Dhe nesër do të jetë…
SHËNIM #10
9 QERSHOR [1938]—11:45 [E ENJTE]
Sot fillova vonë. Mbrëmë takova dy djem nga Stanfordi. M’u qepën fort, siç bëja unë dikur me këdo kur isha në Stanford. Djem të këndshëm, të mençur dhe syhapur. Më pëlqen t’i shikoj dhe t’i dëgjoj. Bëmë një muhabet të fortë rreth universit dhe njeriut. Kam hequr shumë vështirësi për një kohë të gjatë që të largohem nga ky libër, pa i lënë mangësi. Sa duke u marrë me punë të përditshme e sa vjen Muley dhe kështu arsyet për të dezertuar bëhen të dukshme. Po ashtu nata më zë duke fjetur jashtë në terr, përposh yjeve [në botim – kapitulli i 6-të]. Pas kësaj mendoj të kem një kapitull të vogël të brendshëm, ose ndoshta një më të madh, që ka të bëjë me pajisjet e migrimit. Mirë pra, ja ku erdhi Muley. Kaq e pat edhe kjo. Më duhet të shkruaj ca letra.
SHËNIM #11
10 QERSHOR [1938]—11:30 [E PREMTE]
Përsëri e premte. Pak letra. Telegram nga Crawfordi. Letër nga Fordi10.
Thotë se ka dalë në rrugë me shoun për çka jam i lumtur njëmend, se mendoj se është i mirë. Shpresoj të zgjasë. Me pak fat besoj të mbaroj draftin e parë në tetor diku, pastaj një zot e di çfarë dot ë bëj. Me siguri do të jem gati për kusurin. Tash nganjëherë thjesht lodhem nga shumëfishësinë e kësaj historie, por ecuria është shumë magjepsëse, kështu që kjo më çlodh. Dhe paqja e lezetshme është e mirë po ashtu. Ky duhet të jetë një libër i mirë. Thjesht duhet. Nuk ka zgjidhje tjetër. Duhet të jetë ku e ku gjëja më e mirë që kam ndërmarr ndonjëherë – ngadalë por sigurt, duke pirguar hollësi mbas hollësie derisa të shfaqet një kuadër dhe një përvojë. Derisa e tërë gjëja regëtuese të nxjerrë kokën. Unë mund ta bëj këtë. ndihem mjaft i fortë ta bëj këtë. Sot për shembull brenda kuadrit është mbrëmja, gatimi i lepurit dhe diskutimi mbi burgun dhe ndëshkimin. Dhe kukuvajkat, macja gjuan miun dhe ulen ata ulen në verandë [në botim – kapitulli i 6-të]. Dhe nesër depoja e qerreve të përdorura, nëse e përfundoj këtë skenë. Më mirë ta kem këtë skenë në tri faqe në vend se dy. Ngase prapavija kurrë nuk mund të jetë e tepërt. Hajt tash të merrem me personazhet. Puna e së premtes u krye dhe mendoj se ka dalë për së mbari. Nesër është e shtunë…
SHËNIM #12
11 QERSHOR [1938]—10:30—E SHTUNË
(OPSIONALE)
Të pasurit e një faqeje opsionale të shtunën është që të mundohem të mbaj një shpejtësi të caktuar të shkrimit. Pastaj, nëse për ndonjë arsye e humb një ditë (me gjasë do të ndodhë), atëherë do të grumbullohen ditët e tilla. Dy ditë në muaj në të vërtetë, për t’i shtuar. Dy javë tashmë kanë kaluar nga ato 20 sosh. Edhe 18 muaj të tjerë. Rreh të kem 200.000 fjalë, i kam 10.000 fjalë për një javë minimumi. Sot do të kem ditë të lirë, nëse ndodh ndonjë gjë. Shpresoj që jo, por në rast se. Sot Tommy Joad flet për burgun dhe unë nuk e di nëse do të përfundojë ky kapitull ose jo. Nuk është problem kjo. Bob dhe Mary kanë shkruar se duan të vijnë. Nuk munden. Jam zhytur thellë në këtë tash dhe nuk do të lejoj asgjë të më futet në mes. Pasi ta përfundoj do të relaksohem, po deri atëherë jo. Jeta ime nuk është shumë e gjatë dhe unë duhet të kem një libër të mirë të shkruar para se ajo të marrë fund. Ato librat tjerë kanë qenë ndryshime, eksperimente, praktikë. Për herë të parë jam duke punuar në një libër të vërtetë që nuk është i kufizuar, që do të ma marrë çdo grimcë të përvojës, mendimeve dhe ndjenjave që i kam. Le t’i përvishemi punës pra. Faqja mbaroi tash, por jo kapitulli. Është një kapitull mjaft i gjatë [në botim – kapitulli 6-të]. Tash e kam një pasdite dhe një ditë për të pushuar, por nuk do të ndalem. E di sidoqoftë nesër është e diele, jo ditë pune dhe jo ditë pune e numëruar.
Shënime:
1) Gene – Eugene Ainsworth, bashkëshorti i motrës së madhe të Steinbeckut.
2) Steinbeck kishte nisur punën që nga 26 maji dhe veç kishte përfunduar dy kapitujt e parë.
3) Charlton “Duke” (ose Dook) Sheffield, shok klase i Steinbeckut nga Stanfordi.
4) Romancieri Louis Paul dhe gruaja e tij Mary.
5) Martin Ray (1905-1976), tregtar vere.
6) Paul Jordan Smith (1885-1971) shkrimtar, ish mësues i anglishtes në UCLA dhe redaktor letrar i Times të Los Angelesit.
7) The Long Valley – Përmbledhja me tregime e Steinbeckut.
8) David Tolerton, skulptor dhe gruaja e tij, Lavinia, piktore.
9) Robert Cathcart, shok klase nga Stanfordi.
10) Broderick Crawford (1912-1986) dhe Wallace Ford (1898-1966) aktorë në Njerëz dhe minj të George Kaufman.
/Marrë nga John Steinbeck, ‘Working Days – The Journals of The Grapes of Wrath 1938-1941’, Penguin, 1990
/Përkthimi: Gazeta Express