Ata tani janë njohur zyrtarisht si kampionë të Evropës.
Pas gati 50 vitesh pritje, UEFA ka njohur zyrtarisht fitues të rinj të Kampionatit Evropian.
Para shpërbërjes së shtetit në vitin 1992, Çekosllovakia ishte një nga kombëtaret më të forta në futbollin evropian, duke arritur suksese si në Botëror, ashtu edhe në Evropian.
Në fakt, pas dy finaleve të Kupës së Botës në vitet 1934 dhe 1962, ata ngritën trofeun e Kampionatit Evropian në vitin 1976, pasi mposhtën kampionët e botës në fuqi dhe favoritët e mëdhenj të asaj kohe, Gjermaninë Perëndimore.
Në rrugën drejt finales, e cila mbahet mend më së shumti për penalltinë legjendare të Antonín Panenkës, Çekosllovakia doli e para në grupin kualifikues që përfshinte Anglinë dhe Portugalinë.
Pas fitores kundër Bashkimit Sovjetik në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm, ata eliminuan edhe Holandën e madhe të Johan Cruyff për të siguruar vendin në finale.
Finalja e vitit 1976 në Beograd përfundoi 2-2 pas 120 minutash dhe u vendos me penallti, ku Panenka shënoi me goditjen e tij të famshme “parabollë”.
Që nga ajo kohë, UEFA e ka njohur Çekosllovakinë si fituese të trofeut, por të premten u konfirmua se trupi drejtues i futbollit evropian ka njohur edhe Sllovakinë dhe Çekinë si fituese.
Kjo pasi shumica e lojtarëve të atij ekipi ishin sllovakë – plot tetë futbollistë sllovakë ishin pjesë e skuadrës që fitoi Evropianin e vitit 1976.
Në faqen zyrtare të UEFA-s, tani të dy vendet, Çekia dhe Sllovakia, figurojnë si fituese të atij edicioni.
Panenka kujton se vendimi për ta mbyllur ndeshjen me penallti u mor vetëm në ditën e finales, pasi fillimisht ishte planifikuar një ndeshje tjetër dy ditë më vonë.
“Ishte një kërkesë nga Federata Gjermane e Futbollit,” kujton Panenka. “Ata thanë që lojtarët e tyre i kishin rezervuar tashmë pushimet, e kështu u vendos që ndeshja të shkojë direkt te penalltitë, pa përsëritje.”
Duke folur për penalltinë e tij në vitin 2017 për Sport360, Panenka tha:
“Unë nuk kisha problem të gjuaja majtas apo djathtas. Gjithmonë prisja lëvizjen e portierit dhe më pas zgjidhja drejtimin e goditjes.” /GazetaExpress/